Politike

Bullgaria: Shqipërisë t’i çelen negociatat, por kujdes me minoritetin

Bullgaria ka dhënë sot dritën jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nëpërmjet një deklarate, Sofja jep miratimin e saj duke kërkuar garantimin maksimal të së drejtës së pakicës kombëtare bullgare në vendin tonë. Ajo kërkon nëpërmjet kësaj deklarate studimin e gjuhës letrare bullgare si gjuhë amtare në rajonet ku jeton kjo pakicë, përkatësisht në Gollobordë, Gora, Prespë, Korçë, Elbasan, Kukës.

Bullgaria kërkon gjithashtu dhe llogaritjen e popullatës sipas standardeve evropiane në mënyrë që të pasqyrojë në mënyrë objektive përkatësinë etnike.

“Mbi këtë bazë dhe në këto kushte Asambleja Kombëtare e Bullgarisë mbështet negociatat para pranimit për anëtarësimin në BE të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Shqipërisë”, thuhet në projekt- deklaratë.

Po ashtu këtë dokument, Sofja i bën thirrje Shkupit që të zbatojë në mënyrë efektive dhe pa vonesë vullnetin e mirë për të zbatuar Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi dhe Bashkëpunim të nënshkruar nga kryeministrat Boyko Borisov dhe Zoran Zaev më 1 gusht 2017.

“Bullgaria kërkon të kuptojë të vërtetën historike për historinë tonë të përbashkët, të cilën e ndajnë të dy kombet tona … Të përmbahemi në atë që është rënë dakord në punën e Komitetit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për çështjet Historike dhe Edukative”, thuhet në dokument.

Draft-deklarata kërkon të ndalojë të gjitha format e gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore me vetëdije bullgare, përfshirë në media, monumente, pllaka përkujtimore etj.

 

Më Shumë