Politike

Bullgaria, 20 kushte për Shkupin: Maqedonishtja nuk ekziston

Bullgaria nuk do të dalë kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, por i rezervon vetes të drejtën e bllokimit të bisedimeve në rast se në gjykimin e saj Shkupi nuk ka bërë mjaftueshëm për realizimin e më shumë se 20 kushteve që i ka vendosur.

Parlamenti bullgar miratoi deklaratën sipas të cilës mbështetet hapja e negociatave si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, por këtë të fundit e kërcënon me bllokim konferencën e parë ndërqeveritare, që formalisht do të hapte negociatat për Shkupin.

Sofja kërkon zbatimin e marrëveshjes së gushtit 2017 për fqinjësi të mirë, ku kërkohet që Maqedonia e Veriut duhet të heqë dorë nga çdo formë pretendime për ekzistencën e një minoriteti maqedonas në Bullgari.

Në deklaratë, Bullgaria këshillon Bashkimin Europian që gjatë bisedimeve të heqin termin “gjuha maqedonase” dhe në vend të kësaj të përdoret termi “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Kleçka” qëndron në faktin që Bullgaria nuk e njeh si gjuhë të veçantë maqedonishten, por e konsideron atë një dialekt lindor të bullgarishtes. Telashi i ri për Shkupin, ndonëse për nga përmasat nuk duket aq sa çështja e emrit me Greqinë, nuk duhet nënvlerësuar, thonë ekspertët në Bruksel.

Mes kërkesave të tjera, Bullgaria kërkon ndryshime madhore në librat arsimorë, sidomos të atyre sa i takon historisë dhe gjeografisë, një qasje tjetër kulturore sa i takon minoritetit bullgar dhe ndalimin e sulmeve mediatike, publike, kulturore dhe monumentale ndaj personave me shtetësi maqedonase që e identifikojnë veten si bullgar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë