Lajme

“Bularati”, babai i Kaçifas te Krimet e Rënda me avokat grek

Jani Kaçifas, babai i 35 vjeçarit që u vra të dielën ne Bularat ishte te Prokuroria e Krimeve të Rënda ku u pyet për ngjarjen e 28 tetorit. Ai ishte i shoqëruar nga një avokat grek dhe nga një i afërm.

Babai i minoritarit u pyetet nga prokurori Njazi Seferi në lidhje me atë që di për ngjarjen, ndërsa ai pretendon se djali i tij është qëlluar nga afër.

Ndërkohë, ditën e djeshme konsulli grek në Shqipëri ka zhvilluar një takim te Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me hetimet për vrasjen e ekstremistit grek.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë të enjtes thirri në një mbledhje urgjente zyrtarët e mjekësisë ligjore të cilëve u vendosi afate për të mbyllur sa më shpejt ekspertizën mjeko-ligjore të Kostandinos Kaçifës. Por, mjekësia ligjore thotë se i duhen 3 javë kohë për ekspertimin, kohë e cila konsiderohet nga prokurorët si e tejzgjatur, ndaj edhe është kërkuar që ekspertët të qëndrojnë në detyrë edhe gjatë fundjavës.

Njëkohësisht, mediat në Athinë njoftuan se në Shqipëri ka mbërritur për këtë çështje edhe një efektiv i policisë greke. Lidhur me këtë fakt, autoritetet tona komentojnë se në frymë të legjislacionit shqiptar, asnjë përfaqësues i huaj nuk mund të përfshihet në hetimet shqiptare. Kështu që, edhe hetuesit, edhe ekspertët e mjekësisë ligjore janë të gjithë pjesë e autoriteteve shqiptare. Gjithçka që pala e dëmtuar pretendon se mund t’i adresohet Prokurorisë së Krimeve të Rënda në formën e pyetjeve, madje, edhe nëse pala greke do të ketë pretendime apo paqartësi, mund t’i drejtohet Tiranës përmes letërporosive.

35-vjeçari Kaçifa u ekzekutua nga RENEA, pasi refuzoi që të dorëzohej dhe qëlloi me armë policinë, ndërsa trupi i tij ndodhet në morgun e QSUT për ekspertizë mjeko-ligjore, pasi familja kundërshtoi autopsinë në Gjirokastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë