Lajme

BSH s’do të jetë më ndërmjetësuese e investimit të personave fizikë në bonot e thesarit

Banka e Shqipërisë ka njoftuar mbylljen e fazes së aktivitetit të ndërmjetësimit të investimit të personave fizikë në bonot e thesarit nëpërmjet saj.

Sipas këtij vendimi, të marrë nga Këshilli Mbikqyrës, Banka e Shqipërisë do të aplikojë mbylljen me faza të mundësisë për të investuar në bono thesari nëpërmjet sporteleve të saj, në dy vitet e ardhshme.

Gjatë vitit 2021, nuk do të pranohet hapja e llogarive të reja të titujve nga individë që nuk kanë kryer më parë veprime nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Ndërsa, që prej 1 janar 2022, individët nuk do të kenë më mundësi për pjesëmarrje në ankandet e emetimit të bonove të thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë.

Pra, duke filluar nga 1 janar 2022, të gjitha veprimet për të investuar në bono thesari do të kryhen vetëm nga institucionet e tjera financiare të licencuara për këtë shërbim.

“Duke analizuar zhvillimet në tregun e titujve të emetuar nga shteti shqiptar, Banka e Shqipërisë vlerëson se janë pjekur kushtet që ajo të ndërpresë gradualisht këtë aktivitet që është tipik për një bankë tregtare dhe jo për një bankë qendrore. Konstatohet që konkurrenca në tregun finanicar  për këtë produkt është e mirë, ka zhvillim në edukimin financiar të popullatës për të, si dhe është  rritur numri i institucioneve që ofrojnë këtë shërbim për këtë lloj kategorie investitori. Për informacion më të detajuar, qytetarët mund të kontaktojnë sportelet e Bankës së Shqipërisë.”- citon Banka e Shqipërisë.

Subjekt e licensuar nga BSH të cilat ofrojnë shërbimin e kujdestarisë janë:

Alfa Bank

Banka Amerikane e Investimeve

Banka Credins

Banka e Parë e Investimeve

Banka Intesa Sanpaolo

Banka Kombetare Tregtare

Banka Raiffeisen

Banka OTP

Tirana Bank


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë