Lajme

Gotë gjysmë bosh nga Brukseli!

Vendimi i marrë nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë është një gotë gjysmë bosh.

Propozohet hapja e negociatave, por kjo të ndodhë pasi vendet skeptike, si Holanda, Danimarka dhe Franca të binden plotësisht për ecurinë e reformave shtetndërtuese. E si afat është vendosur qershori i vitit të ardhshëm.

Mbledhjes i parapriu një apel i Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn drejtuar vendeve anëtare të BE që t’i japin dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke theksuar rëndësinë e dhënies së “një sinjali pozitiv” për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas marrjes së vendimit, Komisioneri iu drejtua rrjeteve sociale, ku e cilësoi një dëshmi se reformat shpërblehen nga Brukseli.

“Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse është edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan Hahn.

Në reagimin e tij të parë, Kryeministri Edi Rama e lexon këtë vendim si pozitiv dhe rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria, pavarësisht përplasjeve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së.

“Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua! Lufta vijon”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Lulzim Basha nga ana tjetër e interpreton ndryshe. Shtyrjen e sheh si ndëshkim të europianëve për mungesën e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit dhe paralajmëron se nëse kjo nuk ndodh, edhe në 2019 Shqipëria do të refuzohet.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, thotë ai.

Sipas asaj që deklaroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka patur një rezistencë të fortë nga Holanda, Danimarka dhe Franca për të bllokuar hapjen e negociatave me afate konkrete.

“Franca, Danimarka dhe Holanda kërkojnë që të shohin më shumë progres në muajt në vazhdim, pastaj të vendoset, ndërsa 25 vendet e tjera janë dakort me hapjen e negociatave”, deklaroi ai.

Më herët, Holanda e kishte bërë të qartë pozicionimin e saj përmes gjuhës diplomatike të ministrit të vet të Jashtëm.

“Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë progres në drejtim të shtetit ligjor, por, në të njëjtën kohë, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ende ku duhet. Ne duam të shohim një rekord në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Ne duam të shohim rezulatet konkrete, por s’mund të përjashtohet fakti se progresi është bërë kohët e fundit. Shpesojmë që negociatat të nisin me të dyja vendet”, tha Stef Blok.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë