Futboll

“Brexit” tremb Premier League, do të braktiset nga yjet e futbollit

Në Bruksel është arritur marrëveshja për “Brexit”. E ka bërë të ditur publikisht zëdhënësi i Komisionit të Bashkimit Europian, duke e bërë Kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson, të festojë. "Kemi arritur akordin për “Brexit”. Ku ka vullnet, ka edhe marrëveshje dhe ne e kemi tashmë”, - ka shkruar në Tuiter Juncker. Një lajm, që njerëzit e sportit i druheshin në Angli, sidomos ata të futbollit. Pasojat do të ndihen në futboll, ku do të ketë kufizime sa i takon merkatos dhe lejeve të punës për lojtarët, të cilët vijnë nga vendet e tjera. Sapo akordi i “Brexit” të jetë aktiv, lojtarët europianë do të trajtohen ndryshe, me disa rregulla të tjera që duhen respektuar në Britaninë e Madhe. Jo më kot të gjitha klubet e Premier League janë shprehur kundër “Brexit”.

Merkatoja e klubeve të kampionatit anglez do të vuajë pasojat. Kush synon të luajë në kampionatin anglez, që sot është parajsa e futbollit për investime, pasi ka pasur edhe lirinë që i jepte Bashkimi Europian, duhet të jetë uniform me çdo punëtor tjetër të huaj në Angli dhe duhet të pajiset me leje pune, si nëpunës i klubit ku do të luajë. Nuk është diçka e thjeshtë. Dokumenti lëshohet nga “UK Home Office”. Janë disa rregulla që duhet të jenë në përputhje me atë që parashikon ligji. Duhen marrë në konsideratë edhe kostoja e transferimit të lojtarit, paga dhe karriera e tij, duke diskutuar çdo pozicion edhe në nivel orësh.

Kante dhe Mahrez, dy lojtarë që me rregullat e reja nuk do të luanin në Angli. Gazeta Si, 19 tetor 2019

Kështu, për yjet e futbollit botëror problemi i lejes së punës në Angli është relativ, ndërkohë që do të jetë konsistent për lojtarët më pak të njohur. Nuk është një problem i vogël, madje sipas një studimi të FA-së në vitin 2018, janë më shumë se 300 lojtarët që nuk do të plotësonin kushtet për të luajtur në Mbretërinë e Bashkuar. Një shembull: lojtarë protagonistë sot në Premier si Kante i Çelsit apo Mahrez i Mançester Sitit, nuk do të kishin mundësi të luanin.

Problemi për të gjithë do të jetë i karakterit ekonomik. Vlera e stërlinës pas “Brexit” do të pësonte një ulje drastike dhe do ta bënte shumë të vështirë për klubet angleze që të jenë kompetitivë në tregun ndërkombëtar të lojtarëve. Edhe klubet më të mëdha rrezikojnë për një kohë të gjatë për të blerë lojtarë apo për të mbajtur yjet në grupin e tyre, sepse ata do të kishin kontrata më të favorshme në vendet e tjera të Europës. Rreziku që Anglia i druhej tashmë po vjen, është i pashmangshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë