Ne rrjet

Brenda luftës së Europës për vaksinat anti-Covid

Gjatë një takimi të mbajtur javën e kaluar në Bruksel, diplomatët e 27 vendeve anëtare ishin të dëshpëruar. BE kishte paguar miliarda euro për të blerë vaksina, me synim frenimin e një pandemi që po vriste çdo ditë mijëra evropianë. Por prodhuesit e vaksinave kishin ndërprerë dërgesat, dhe BE ishte përfshirë në një luftë publike me to.

“Kjo është një katastrofë!”- tha ambasadori francez Filip Leglize-Kosta në takimin e 27 janarit. Ai takim ishte një moment vendimtar në gati 2 javë konfuzion dhe zemërim rreth furnizimit me vaksina të BE-së, të cilat do t`a zhytnin bllokun në krizën e tij më të thellë, që kur Ursula von der Lejen mori drejtimin e Komisionin Evropian pak më shumë se një vit më parë.

Vetëm 1 javë më parë, BE kishte vendosur si objektiv vaksinimin e 70 për qind të të rriturve deri në fund të verës së këtij viti, si një mundësi për të hequr njëherë e mirë dorë nga bllokimet, që u kanë kushtuar miliarda euro vendeve të unionit. Kur ndikimi nga mungesa e vaksinës u bë i qartë, blloku nisi një fushatë për të poshtëruar prodhuesit e vaksinës.

Por taktika nuk po funksiononte, ndërsa po dilnin detajet e marrëveshjeve konfidenciale, të cilat hidhnin dyshime mbi aftësinë e Brukselit për të zbatuar kontratat mbi të cilat u dakordësua në emër të anëtarëve të saj.“Reuters” ka mësuar detaje ekskluzive të bisedimeve të brendshme të BE-së gjatë muajit të kaluar, bazuar në shënimet e diplomatëve, dhe ka intervistuar 4 persona të pranishëm në takimet kryesore për të verifikuar vërtetësinë e tyre.

Shënimet zbulojnë se si drejtuesit e lartë të BE-së kaluan nga vetëkënaqësia për programin e vaksinimit tek paniku i plotë. Në fakt, shënimet tregojnë se disa zyrtarë evropianë ishin tashmë të vetëdijshëm që në dhjetor për vonesat në prodhimin e vaksinave.

Por zyrtarisht Komisioni shpalli objektiva ambiciozë. Në fillim, Brukseli nuk shënoi sasinë e vaksinave që dilnin nga blloku, duke e kuptuar problemin vetëm kur u vonuan furnizimet e saj. Dhe teksa përpjekjet e tij për të fituar terren me mjete ligjore dështuan, Komisioni u përball me sulme të mprehta nga qeveritë e BE-së për strategjinë skandaloze të komunikimit publik.

A medical worker has her information verified before receiving her second dose of the vaccine against the coronavirus disease (COVID-19), at China-Japan Friendship Hospital in Beijing, China January 29, 2021. Picture taken January 29, 2021. China Daily via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY. CHINA OUT.

Në një pandemi që ka vrarë mbi 700.000 njerëz vetëm në Evropë, vonesat e njoftuara nga kompanitë që prodhojnë vaksinat e koronavirusit – AstraZeneca PLC dhe Pfizer Inc. – rrezikuan të linin miliona njerëz në Evropë të pambrojtur gjatë dimrit, në një kohë që variantet e reja më të transmetueshme po qarkullonin gjerësisht, ndërsa spitalet po mbingarkoheshin.

Qendrat e vaksinimit nga Madridi në Paris, ishin mbyllur për shkak të mungesës së furnizimit. Por vonesat e vaksinave, nuk ishin vetëm një makth i shëndetit publik, por edhe një krizë politike. Britania, e sapo-divorcuar nga tregu i përbashkët i BE-së pas 5 vjet negociatash të vështira, po i vaksinonte qytetarët e saj me një ritëm shumë më të shpejtë se çdo vend i BE-së.

Diplomatët kishin frikë se KE po e humbte betejën, i tha “Reuters” një diplomat i lartë i BE-së, që ishte i pranishëm në takimin e 27 janarit. Ata e nxitën Komisionin të mbyllte sherrin me kompaninë britanike AstraZeneca, për hir të marrjes së barnave sa më shpejt që të jetë e mundur, tregojnë shënimet por edhe njerëzit e pranishëm.

Por në vend të kësaj, Komisioni e përshkallëzoi përplasjen publike me Mbretërinë e Bashkuar -duke deklaruar se Londra po pengonte vaksinat e prodhuara për BE-në. Brukseli u tërhoq shumë shpejt nga kjo gjuhë,kur e kuptoi se rrezikonte prishjen e një marrëveshje kufitare, pjesë e marrëveshjes mbi Brexit, për të cilën Londra dhe Dublini thanë se mund të kishin pasoja serioze për sigurinë në Irlandën e Veriut.

BE-ja ishte rreth 3 javë pas Britanisë në nisjen e fushatës së vaksinimit, kryesisht pasi refuzoi miratimit emergjent të vaksinës nga enti rregullator, siç kishte bërë Britania. Por ajo kishte arritjen e marrëveshjeve me 6 prodhues të vaksinave, për të siguruar gati 2.3 miliardë doza vaksine për popullsinë e saj prej 450 milionësh.

Vaksina e AstraZeneca kushton rreth 2.5 euro për dozë, kundrejt 15.5 euro të vaksinës së Pfizer, thanë për “Reuters”2 negociatorë të BE-së të përfshirë drejtpërdrejt në bisedime me prodhuesit e vaksinave. AstraZeneca u zotua të dërgojë të paktën 80-120 milion doza deri në mars, tha një zyrtar i përfshirë në bisedime.

Negociatorët e BE-së ishin të vetëdijshëm, që AstraZeneca po e zvogëlonte prodhimin e planifikuar për shkak të problemeve logjistike. Kompania i kishte thënë grupit drejtues të BE-së që më 4 dhjetor se do të ulte në 2/3 objektivat e saj për 3-mujorin e parë, sipas një shënimi diplomatik.

Më 15 janar, edhe Pfizer tha se e kishte reduktuar prodhimin, dhe se do të ndërpriste përkohësisht furnizimet në BE, për shkak të problemeve me fabrikën e saj në Belgjikë. Pati një protestë të menjëhershme publike në të gjithë Evropën. Më22 Janar, AstraZeneca, njoftoi zyrtarisht BE-në se do të reduktonte dërgesat e saj gjatë 3 muajve të parë.

Komisioni Evropian u hodh në sulm. Dy ditë më vonë, KE thirri drejtuesit e AstraZeneca në një takim për t’i bërë presion që të mbajë premtimin e dhënë. Komisioni bëri disa lëshime dhe AstraZeneca shtoi 8 milion doza. Por nuk mjaftonte. Komisioni kërkoi dozat që prodhoheshin nga Gjermania dhe Britania. Por AstraZeneca nuk ofroi asnjë qartësi nëse dozat mund të devijohen nga Britania.

Të nesërmen, shefi ekzekutiv i kompanisë, Paskal Sorio, tha për gazetat evropiane se AstraZeneca nuk ishte ligjërisht e detyruar t’i dorëzonte BE-së dozat e vaksinës në një afat të saktë, pasi në kontratë thuhej vetëm se do të bënte “përpjekjet e saj më të mira” për t’i dorëzuar sa më shpejt.

Më 27 janar të dhënat e përafërta doganore, treguan se miliona vaksina anti-Covid ishin eksportuar në javët e fundit nga BE-ja në Britani, Kanada, Izrael dhe Kinë. Në atë takim u tha se BE do të krijojë një mekanizëm të ri për të gjurmuar dhe licencuar eksportet.

Por të paktën 5 diplomatë thanë se në atë takim Komisioni kishte shkuar shumë larg në luftën e tij publike me kompaninë. Ata e nxitën atë të qetësonte tonet. Asnjë veprimi ligjor, nuk do të prodhonte më shumë vaksina në një kohë të shpejtë, thanë ata.

Duke parë që diplomatët donin të zbusnin luftën me AstraZeneca, zyrtarët e BE-së kërcënuan publikisht të nesërmen bllokimin e eksporteve të vaksinave, një veprim që ka të ngjarë të dëmtojë importet e vaksinave britanike nga fabrika belge e Pfizer.

Të premten më 30 janar, Brukseli ndërmori një hap tjetër, duke kërcënuar të evokonte një klauzolë që do të bllokonte hyrjen e vaksinave në Irlandën e Veriut – një provincë e drejtuar nga britanikët, por që mbeti pjesë e tregut të brendshëm të BE-së pas divorcit nga Brexit.

Vendosja e kufizimeve në atë kufi ishte e rrezikshme:Në bisedimet mbi Brexit ishte rënë dakord që ai të mbahej i hapur, për të ruajtur marrëveshjen e paqes së vitit 1998, që i dha fund 30 viteve konflikt të armatosur në provincë.

Ministrja e Parë e Irlandës Veriore Arlen Foster e quajti veprimin e e BE-së“një akt të pabesueshëm armiqësie”, dhe zyrtarët e BE-së e pranuan shpejt se ishte e tepruar. Deri të dielën e 31 janarit Komisioni ishte tërhequr nga të dyja frontet. Pas një jave luftimesh dhe konfuzioni diplomatik, BE kishte siguruar vetëm 1 milion doza më shumë sesa oferta fillestare e AstraZeneca. / “Reuters” /


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë