Njerez

Brenda botës së dhunshme, mizogjene të Andrew Tate. Kush është ai dhe pse u bë papritmas viral?

Andrew Tate thotë se gratë i përkasin shtëpisë, nuk mund të ngasin makinën dhe janë pronë e një burri.

Ai gjithashtu mendon se viktimat e përdhunimit duhet të "mbajnë përgjegjësi" për sulmet kundrejt tyre.

Në klipe të tjera, kikboksieri britaniko-amerikan, 35 vjeç, i cili pozon me makina të shpejta, armë dhe e portretizon veten si një playboy që pi puro, flet për goditjen dhe mbytjen e grave, hedhjen e sendeve të tyre dhe ndalimin e daljes së tyre jashtë.

“Do i hidhja çdo gjë që ka, do i gjuaja në fytyrë duke e kapur për fyti dhe do i thoja ta mbyllte gojën”, thotë ai në një video, duke treguar se çfarë do të bënte nëse e dashura do e akuzonte për tradhti.

Pikëpamjet e Tate janë përshkruar si mizogjini ekstreme nga organizatat për mbrojtjen e femrave.

Por 35-vjeçari nuk është një personalitet që rri i fshehur në një cep.  Ai është një nga figurat më të famshme në TikTok, ku videot e tij janë shikuar 11.6 miliardë herë.

I vetëquajtur një guru që ka recetën për të fituar para, për të bërë për vete vajzat dhe për të qenë “ndryshe”, Tate është kthyer brenda pak muajsh nga një i panjohur në një nga njerëzit më të përfolur në botë. Në korrik, kishte më shumë kërkime në Google për emrin e tij sesa për Donald Trump apo Kim Kardashian.

Rritja e tij e shpejtë drejt famës nuk ishte e rastësishme. Shumë shpejt ndjekësit e tij filluan të përdornin audiot e tij në video për të marrë klikime.

Përpjekja e koordinuar, që përfshin mijëra anëtarë të akademisë private në internet të Tate, Hustler's University dhe një rrjet llogarish kopjuese në TikTok, është përshkruar nga ekspertët si një "përpjekje e hapur për të manipuluar algoritmin" dhe për të rritur artificialisht përmbajtjen e tij. Në më pak se tre muaj, strategjia i ka sjellë atij një numër të madh ndjekësish dhe potencialisht i ka dhënë atij miliona paund, me 127,000 anëtarë që paguajnë tani 39 paund në muaj për t'u bashkuar me komunitetin e Universitetit Hustler, shumë prej tyre burra dhe djem.

Megjithatë, pavarësisht se pjesa më e madhe e përmbajtjes duket se shkel rregullat e TikTok, të cilat në mënyrë eksplicite ndalojnë mizogjininë dhe llogaritë e kopjuara, platforma duket se ka bërë pak për të kufizuar përhapjen e Tate ose për të ndaluar llogaritë përgjegjëse. Në vend të kësaj, ajo e ka shtyrë atë në rrymën kryesore, duke lejuar që klipet e tij të jenë kudo duke i promovuar ato në mënyrë aktive tek përdoruesit e rinj.

I rritur në Luton, djali i një asistenti hotelerie dhe mjeshtri i shahut, Tate ka qenë prej kohësh duke bërë tituj për polemika të ndryshme. Në të 20-at e tij ai punoi si producent televiziv ndërsa stërvitej si kikboksier në palestrën lokale, duke luftuar profesionalisht dhe duke fituar tituj botërorë.

Në vitin 2016, karriera e tij me publikun dukej se kishte mbaruar kur mezi kishte filluar, kur pasi u në Big Brother ai u nxor nga shtëpia për shkak të një videoje ku ai godiste një grua me rrip. Një video e dytë u shfaq menjëherë më pas, në të cilën ai shfaqet duke i thënë një gruaje të numërojë mavijosjet që me sa duket i ka shkaktuar asaj. Si Tate ashtu edhe gratë mohuan se kishte ndodhur ndonjë abuzim dhe thanë se klipet tregonin seks konsensual.

Më shumë polemika pasuan. Postimet që përmbajnë sharje homofobike dhe racore u gjetën në faqen e tij në Twitter. Më pas, në shtator 2017, ai u kritikua nga organizatat të shëndetit mendor pasi tha se depresioni "nuk është i vërtetë". Muajin tjetër ai hyri në #MeToo, duke thënë se gratë duhet të "mbajnë njëfarë përgjegjësie" për përdhunimin, një pikëpamje që ai e ka përsëritur që atëherë dhe që, ndër incidentet e tjera, e bëri atë të ndalohej nga Twitter.

Këto bënë që ai të fillonte të shihte veten si një vip dhe kështu filloi të shfaqej kudo. Ai u shfaq në InfoËars, podkasti i teoricienit konspirativ Alex Jones; u fotografua me YouTuber-in e ekstremit të djathtë Paul Joseph Watson dhe u takua me Donald Trump Jr në Kullën Trump, duke postuar më pas në Facebook: “Familja Tate e mbështet PLOTËSISHT Trumpin”.

Shumë kohë përpara ngritjes së tij në famën e TikTok, pikëpamjet e Tate për gratë po bëheshin gjithashtu të qarta. Në Facebook në vitin 2018, ai “vajtoi rënien e qytetërimit perëndimor" pasi pa një poster në aeroportin e Heathrow "që inkurajonte vajzat të shkonin me pushime në vend të inkurajimit të të qenit një nënë e dashur dhe një grua besnike".

Ai gjithashtu diskutoi hapur për akuzën e dhunës ndaj disa grave, megjithëse nuk është akuzuar kurrë për ndonjë shkelje përveç një kundërvajtjeje në drejtimin e automjetit në vitin 2018.

Në një video, ai thotë se është hetuar nga policia për dyshime se ka abuzuar me një grua, të cilën ai e mohoi.

Rreth kohës kur policia e Mbretërisë së Bashkuar po hetonte akuzat për abuzim, Tate mësohet se ishte larguar nga MB për në Rumani. Në një video duke shpjeguar arsyet e tij për këtë lëvizje, ai tha se ishte sepse do të ishte më e lehtë të shmangeshin akuzat për përdhunim. "Unë nuk jam përdhunues, por më pëlqen ideja që thjesht të jem në gjendje të bëj atë që dua. Më pëlqen të jem i lirë”.

Akoma më shumë akuza do të pasonin.

Në prill, rezidenca e tij u bastis nga policia pas një informacioni nga ambasada amerikane se një femër 21-vjeçare amerikane po mbahej kundër dëshirës së saj. Tate me vëllain e tij u morën në pyetje përpara se të liroheshin.

Mes dramës, përmbajtja e Tate në internet mori hov. Që nga janari, videot, mbështetur nga intervistat e Tate ndër vite kanë tërhequr miliona shikime në TikTok. Por në javët e fundit, kjo rritje është përshpejtuar. Vetëm në gusht deri më tani, klipet e etiketuara me emrin e tij janë shikuar më shumë se një miliardë herë.

Postimet nuk vijnë nga vetë Tate, i cili nuk duket të jetë aktiv në platformë, por nga qindra llogari, shpesh duke përdorur emrin dhe foton e tij, të drejtuara nga ndjekësit e tij, anëtarë të Universitetit Hustler. Anëtarëve, duke përfshirë djem deri në 13 vjeç, u thuhet se mund të fitojnë deri në 10,000 paund në muaj përmes mësimeve mbi investimin në kripto, heqjen e transportit dhe duke rekrutuar të tjerë në Universitetin Hustler, duke fituar 48% komision për çdo person që ata referojnë.

Shumë video të Tate duken, në shikim të parë, të padëmshme, madje edhe qesharake. Në stilin e tij të të folurit të drejtpërdrejtë, ai tallet me burrat që pinë ujë rubineti në vend të ujit të gazuar dhe njerëzit që kanë mace. "Burrat e vërtetë kanë qen", thotë ai.

Por pjesa më e madhe e tij duket se plotëson përkufizimin e përmbajtjes së urrejtjes të përcaktuar në udhëzimet e komunitetit të TikTok, të cilat thonë se TikTok është "përfshirës dhe mbështetës" dhe ndalon përmbajtjen që "lavdëron, promovon ose mbështet çdo ideologji urrejtjeje", duke përfshirë mizogjininë.

Kritikët thonë se fama e tij ngre shqetësime për mizogjininë në internet dhe radikalizimin e mundshëm, me një grua që e etiketon atë "burrin më të frikshëm në internet".

Duke folur për pasurinë e tij personale, ai së fundmi në një intervistë ka thënë: "Kam qenë pa para për një kohë të gjatë. Milionin tim të parë e kam bërë kur isha 27 vjeç dhe më pas i kisha 100 milionë në kohën kur isha 31,32 dhe më pas u bëra trilioner”.

Nuk ka trilionerë në planet (sipas Forbes, Elon Musk vlen 250 miliardë dollarë), kështu që mund të jetë thjeshtë një dëshirë e tija. Gjithashtu, Essential Sports vlerëson se pasuria e tij neto është rreth 30 milionë dollarë.

Nuk ka asnjë moment viral apo klip individual për të përcaktuar me saktësi ngritjen e tij drejt famës virale, por përkundrazi duket si pjesë e një përpjekjeje më të madhe të përbashkët për të nxjerrë emrin dhe fytyrën e tij atje.

Disa ditë më parë, pasi njerëzit shpërthyen me sharje kundrejt tij dhe platformave që e lejonin të shfaqte gjuhën e urrejtjes, Youtube dhe Instagram kanë vendosur ti mbyllin llogaritë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë