Rend dhe Ligj

Bravo çuna!

“Bravo çuna!”, ishin dy fjalët me të cilat ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri sot nw mbyllte çdo fjalim, e shkrim përgëzues në rrjetet sociale për Policinë e Shtetit, duke e përshëndetur atë në operacionet që mbyllte me sukses.

Ishte koha kur hashashi lulëzonte në Shqipëri, sidomos në 2016. Sot, tre vite më vonë, të paktën në javët e fundit, operacionet organeve ligjzbatuese në Shqipëri dhe në vendet përreth, sinjalizojnë një aktivitet trafiku të përafërt me ato ditë. Lajmet e kronikës me sekuestrim hashashi kanë qenë më të dendura se zakonisht, që nga cigarja e ndezur me hashash e sekuestruar në Tiranë, e deri tek sekuestrimi i drogës me tonë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Provat e sekuestruara nga Policia e Tiranës në një aksion të fundit, ku shihet edhe një cigare hashash, që është fikur pas ndezjes

Që prej fillimit të muajit prill nga të dhënat që publikon policia vihet re një shtim në trafikun e hashashit brenda dhe jashtë vendit me protagonistë shtetas shqiptarë. Aksioni i parë i bujshëm u ndërmor më 1 prill, kur policia e Shkodrës sekuestroi 151 kilogramë hashash dhe prangosi dy shtetas malazezë dhe një të ri shqiptar. Droga po transportohej me një furgon me targa malazeze me destinacion Malin e Zi.

Më 5 prill, Policia Kufitare në Kapshticë arrestoi një 38-vjeçar nga Divjaka, të cilit gjatë kontrollit në mjetin që po drejtonte iu gjetën 68 kilogramë hashash. Destinacioni i drogës ishte Greqia.

Në 8 prill nuk u sekuestrua drogë, por policia goditi në Tiranë një grup të dyshuar kriminal që merrej me trafikun e hashashit, kokainës dhe heroinës në drejtim të Gjermanisë. Gjatë aksionit u sekuestruan armë, automjete të blinduara dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Pas këtyre rasteve pati disa ditë “pushim”.Por në 15 prill, autoritetet italiane ndërmarrin një operacion në shënjestër të të cilit ishin disa shtetas shqiptarë, të akuzuar se kontrollonin trafikun e drogës në Kieti, Peskara, Teramo, Milano dhe Roma. Gjatë operacionit u sekuestruan 400 kilogramë hashash dhe një kilogram kokainë. Droga u sekuestrua në Abruzo dhe sipas mediave italiane kishte pak ditë që kishte mbërritur në Itali nga Shqipëria.

Më 22 prill, policia greke arreston tre shtetas shqiptarë që po transportonin me çanta 123 kilogramë hashash. Të rinjtë u kapën në një zonë pyjore pranë Gumenicës dhe siç zbuluan hetimet më vonë, tre të arrestuarit ishin korrierë që kishin pranuar transportimin e mallit kundrejt një pagese prej 200 mijë lekësh secili.

Pak ditë më vonë policia greke sekuestron 72 kilogramë hashash, të fshehur në një mjet që drejtohej nga një 44-vjeçar shqiptar. Mjeti kishte hyrë në territorin grek nga kufiri i gjelbërt duke shmangur kontrollin doganor.

Në orët e para të 26 prillit, autoritetet italiane vihen në ndjekje dhe kapin një skaf 10 metra të gjatë, që po përpiqej të mbërrinte në brigjet e Barit. Në mjetin lundrues u gjetën 1.5 tonë hashash, që në treg do të kapte vlerën e 15 milionë eurove. Dy skafistët shqiptarë përfunduan në pranga.

Më 30 prill, na rrugën Kakavijë-Janinë policia greke sekuestron 100 kilogramë hashash të fshehur në një autobus të linjës Sarandë-Athinë. Një 34-vjeçar u ndalua si poseduesi i drogës.

Muaji maj nis më vrullshëm. Në Athinë, shoferi shqiptar i një autobusi arrestohet pasi në mjetin që drejtonte u gjetën 155 kilogramë hashash. Edhe në këtë rast, autoritetet greke deklaronin se droga mbërrinte nga Shqipëria.

Më 2 maj, në zonën e Malësisë së Madhe, policia sekuestron 204 kilogram hashash të paketuar dhe gati për trafik në drejtim të Malit të Zi. Dy persona përfunduan në pranga dhe një i tretë u shpall në kërkim. Po në këtë ditë, në Korçë policia shqiptare arreston një 34-vjeçar të cilin iu gjetën në banesë 50 kilogram kanabis. Droga ishte paketuar me natriban dhe besohet se qëllimi ishte trafikimi i saj në drejtim të Greqisë.

Më 2 maj, mediat italiane raportuan operacionin e policisë së Romës që çoi në prangosjen e një 30-vjeçari shqiptar. Në banesën e tij u sekuestruan 140 kilogramë kanabis dhe 3.5 kilogramë kokainë. Droga dyshohet se kishte hyrë në Itali nga Shqipëria.

Rasti tjetër i sekuestrimit të drogës mbërriti nga kufiri me Maqedoninë e Veriut. Policia maqedonase sekuestroi 45 kilogramë drogë në një automjet dhe prangosi dy shtetas shqiptarë, që e zotëronin atë.

1.2 tone droge e sekuestruar nga policia turke ne Stamboll

Operacioni më i freskët mbërrin nga Turqia. 1.2 tonë hashash u kapën në një aksion që çoi në prangosjen e disa personave, ndërsa në pranga kanë përfunduar pesë shtetas shqiptarë. Aksioni është ndërmarrë në Stamboll, ndërkohë që hetimet do të provojnë rolin e shqiptarëve në këtë trafik. Mediat turke raportojnë se kanabisi ishte transportuar nga Shqipëria i fshehur brenda 100 thasëve me ushqim për kafshët.

Këto janë rastet më të bujshme të drogës së sekuestruar në pesë javët e fundit. Veç këtyre rasteve, ka edhe plot aksione të tjera të ndërmarra në Shqipëri dhe vendet përreth me protagonistë shtetas shqiptarë.

Nga operacionet e fundit të Policisë ndaj trafikut të lëndëve narkotike, ajo që vihet re më e përforcuar është fenomeni i “punësimit” të personave të tretë nga ana e trafikantëve. Të rekrutuarit udhëtojnë në këmbë me dhjetëra kilometra mes maleve Shqipëri-Greqi.

“(Poseduesi) Ka deklaruar në bazë të të gjitha të dhënave që ‘unë jam posedues i lëndës narkotike. Kam ngarkuar dy persona të tjerë, të cilët në rrugë tokësore do të shkonin dhe do të transportonin lëndën narkotike’. Ai do t’i paguante për punën që ata do të bënin, për dy çanta hashash, me dy milionë lekë të vjetra secili”, thotë avokatja Megi Zonja në një intervistë për Top Channel.

Avokatja shton se personat që pajtohen për këtë aktivitet janë në dijeni se çfarë po bëjnë, por e ndërmarrin rrezikun për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë