Biznes

Braçe vs. fasoneri: Përplasje titanësh në… Instagram

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka akuzuar në rrjetin social Instagram biznesin fason për kushtet mizerabël të punës, sipas tij, për shfrytëzimin e punonjësve me paga skandaloze.

“Ju nuk i meritoni punëtorët tuaj, fare, fare, fare! Prej punëtorëve e keni atë biznes, prej punëtorëve keni fituar, madje një pjesë ka fituar pa hesap! Urdhëroni, bëjeni atë biznes pa punëtorët, bëjeni me katër-pesë vetët e familjes tuaj. E bëni dot? Kurrë!” shkruan z. Braçe.  

"Po si ka mundësi, pyet ai, që thoni se nuk plotësoni dot kushtet e sigurisë për shëndetin e punëtorëve?"

“Barbarisht e keni shkelur ligjin deri tani; Një pjesë e juaja po aq barbarisht ka shfrytëzuar këta punëtorë; Tani refuzoni kushtet e sigurisë, madje dhe një mjek për 200, 300, 400 e më shumë punëtorë në ambiente që i ngjajnë kavanozëve të palarë të gogozhareve!! A jeni në vete apo jo?! Ndaj vijoj të besoj fort se kjo situatë ka nxjerrë në pah me gjithë shkëlqimin e saj, paligjshmërinë ulëritëse në punë, punën e zezë, kushtet skandaloze, rrogat e rreme e të pasigurta! Kodi i punës, ligje të reja për punë të ligjshme e të mbrojtur, të mirëpaguar, janë zgjidhja! Boll me shfrytëzimin e tillë të punëtorëve!” shkruan zëvendëskryeministri.

Reagimi i zv/kryeministrit vjen pas mbylljes së disa fabrikave fasone nga Inspektorati Shëndetësor për arsye se ishin bërë vatra të përhapjes së epidemisë së koronavirusit, por edhe kërkesës së biznesit fason për të shfuqizuar protokollin e kuq të mbrojtjes anti Covid-19, sepse sipas tyre është i pazbatueshëm në praktikë.

Por nuk vonojnë komentet nga përfaqësues të sektorit fason në statusin e zv/kryeministrit Braçe në instagram.

Alma është përfaqësuese e një biznesi fason, e cila në komentin që i bën z. Braçe i kërkon llogari sepse - sipas saj - edhe nëse janë të vërteta ato që ai përshkruan në status, faji është i tiji.

“Atë biznes e kemi falë sakrificave dhe punës së madhe që kemi bërë. Kam punuar që 10 vjeç duke shitur çamçakëza. Punëtorët janë paguar me pagën që keni vendosur ju! Nëse kjo nuk paska ndodhur, ju po pranoni që paskeni dështuar si shtet. Asnjë punëtor nuk është shfrytëzuar. Ata kanë marrë pagën që ju keni vendosur dhe ne kemi rënë dakord. Nëse kjo pagë është e pamjaftueshme, atëherë edhe ky biznes nuk mund të funksionojë sepse pagesat e prodhimit tonë janë shumë të vogla nga klientët. Po të tregoj meqënëse qenke komplet i painformuar. Shpeshherë ndodh që kostot tona të jenë më të mëdha se fatura mujore...”, shkruan Alma në komentin e saj.

Almës i duket krejtësisht e palogjikshme që zv/kryeministri i një shteti sulmon në këtë situatë fort një biznes që mban në punë një pjesë të madhe të popullsisë së vendit.

“Ju duhet të jeni mbështetje për këtë sektor që po kalon një krizë të madhe dhe shumë prej tyre mund të mos kthehen dot më! Ju zotëri keni një post që nuk e di nëse e keni merituar apo keni lindur me “këmishë” për ta pasur, por sigurisht që ky post që ju keni, nuk ju jep të drejtën të sulmoni me një gjuhë rrugë dhe pa fakte, një biznes që mirë apo keq “sipas jush” i ka sjellë të mira këtij vendi”, shkruan Alma në përgjigje të statusit të zv/kryeministrit Braçe. "Jeni ju zoti Braçe në gjendje të punësoni të gjithë punonjësit e këtij biznesi me paga dhe kushte më të mira? Dyshoj shumë që mund ta bëni", vijon ndër të tjera sipërmarrësja.

Por replikat me tona të ashpra vazhdojnë me të dhe komentues të tjerë që punojnë në fasoneri, të cilët edhe ata e kritikojnë gjuhën me të cilën ka shkruar zv/kryeministri.

“Z. Braçe unë po shkruaj nga një kompani fason nga Kruja që jemi shigjetuar sikur jemi 'feudalët' e rinj, por fatkeqësisht ne me zor mbahemi në këmbë në kohë normale për arsye të logjikës së biznesit që kemi; ku fitimi llogaritet me cent e jo më shumë. Biznesi ku punoj unë nuk ka marrë asnjë gjobë dhe me aq sa kemi pasur mundësi, kemi respektuar kodin e punës që nga 2012 që është hapur. Sot ndodhemi përballë një situate tepër të vështirë, ku si biznes po humbim të gjitha kontratat dhe kemi penalitete nga më të ndryshmet, por këtë po e hedhim pas krahëve sepse në këtë situatë është vështirë për çdo person, po ashtu edhe për shtetin në tërësi. Problemin më të madh e kam për këta punëtorë që ju shkruani, që fatkeqësisht nuk po punojnë si fillim nga frika që kishin dhe tani nga situata që është krijuar në Krujë, ku edhe biznesi ku punoj unë është i mbyllur me urdhër të ISHP dhe fatkeqësisht nuk përfitojnë nga asnjë paketë ndihme financiare për arsye se deri më dt.10/04 ishin në punë. Ju lutem mund të më thoni se si do jetojnë këta njerëz, përfshirë edhe mua?”, shkruan Olti Ismalaja nga Kruja.

Fabrikë fasoni, foto ilustruese. Gazeta "Si", 29 prill 2020

Reagimi i shoqatës

Për deklaratën e zotit Braçe ka reaguar edhe shoqata ProEksport Albania me një letër drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama.

“Caktimi, me “protokoll”, i dezinfektimit dy herë në ditë, në kompanitë që punojnë 8 orë në ditë pa ndërprerje, nuk ka sens për shkak se nxjerrja e punëtorëve jashtë për të bërë dezinfektimin dhe qëndrimi për dy orë në mjedis të hapur e pastaj kthimi në frontin e punës nuk ka asnjë kuptim për mbrojtjen e shëndetit. Kompanitë tona në të shumtën e rasteve punojnë në orarin 07:30 deri ne 15:30. Gjithashtu, kërkesa penalizuese në Protokollin e Kuq për lëvizjen e punëtorëve në mjetet tona private (shërbimi urban mungon në të gjitha rrethet) është praktikisht e parealizueshme ashtu siç është këshilluar të bëhet”, thotë shoqata.

Ajo citon se ka afruar një zgjidhje praktike: asnjë punëtor nuk mund të udhëtojë me furgonin e ndërmarrjes apo të hyjë në mjediset e saj pa iu nënshtruar matjes së temperaturës (katër herë gjithsej) si dhe dezinfektimit të mjetit lëvizës, pajisjes permanente me maska dhe doreza dhe alkoolit dezinfektues në të gjithë mjediset e punës dhe të udhëtimit.

Kjo kërkesë zyrtare, vijon shoqata, është keqkuptuar dhe është kthyer në një sulm fyes dhe denigrues për grupin tonë të biznesit, nga zyrtarë të lartë të qeverisë.

“Konkretisht zëvendëskryeministri Erjon Braçe, në një dalje publike në një televizion lokal në Tiranë dhe në adresën e tij në rrjetet sociale, ka përfshirë, në një akuzë të pazakontë, të gjithë subjektet e regjimit të përpunimit aktiv. Në gjykojmë se zëvendësi juaj, që është i autorizuar prej jush për të monitoruar tërë administratën publike, përfshirë edhe atë fiskale, i ka të gjithë mundësitë dhe instrumentet ligjore, të kontrollojë dhe të urdhërojë kontrollin për sa shkruan dhe flet në media-n e shkruar dhe vizive. Ne e quajmë të nxituar dhe të pavend deklarimin e tij”, thotë shoqata në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë