Futboll

Braçe vijon luftën me FSHF: Është stadium kombëtar, nuk mund ta shisni emrin

Zv.Kryeministri Erion Braçe ka reaguar sërish në lidhje me çështjen e stadiumit të ri kombëtar që është duke shkuar drejt përfundimit në Tiranë. Impianti i ri modern që nga kryeministri Rama u pagëzua si “Arena Kombëtare” pritet të ketë një emër komercial. FSHF hapi garën për kompanitë e interesuara para mëse një muaj dhe ende nuk ka bërë zyrtare listën e kompanive që kanë paraqitur interes për t’i vendosur emrin e tyre këtij stadiumi.

Braçe dje lëshoi disa akuza për atë që po ndodh, duke e cilësuar këtë veprim të FSHF si një pazar në kurriz stadiumit kombëtar. Pas përgjigjes së djeshme nga FSHF, që theksonte se dhënia e emrit të stadiumit një kompanie private është një praktike që po ndiqet në të gjithë botën, reagimi Braçes ka qenë edhe më i ashpër.

Numri 2 i qeverisë shqiptarë në postimin e tij në rrjetet sociale shkruan se zyrtarët e FSHF duhet të bëjnë dallimin mes një stadiumi kombëtar dhe një stadiumi lokal të një ekipi. Sipas Braçes në asnjë vend të zhvilluar të botës nuk ka ndodhur që emri i stadiumit kombëtar të jetë komercial.

“E para, stadiumi Qemal Stafa e ka emrin; Nuk ka asnjë akt ti këtë hequr këtë emër! E dyta, stadiumi Qemal Stafa është KOMBËTAR, në kryeqytet, nuk është stadium në Brighton!”- shkruan Braçe ndër të tjera.

Më tej në reagimin e tij, ku nuk mungojnë tonet ironike, Erion Braçe thotë se FSHF fillimisht duhet të nxjerrë në shitje garat kombëtare që zhvillon, duke filluar nga Kupa dhe më pas kampionati Superliga. “E bëni dot? Nuk besoj; ua thonë kompanitë e marketingut: Nuk shesin dot as edhe një ndeshje tuajën, finale, jo me garën! Edhe Kosova e shet garën, ju jo! Bëjeni garë, bëjeni të drejtë,  të ndershme, cilësore dhe shiteni! Aty keni të drejta ju!”

Reagimi i plotë i Erion Braçes

https://www.instagram.com/p/B1da3U5HiUW/?utm_source=ig_web_copy_link

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë