Futboll

Emri i ri i stadiumit, debat dhe kunja mes Braçes dhe FSHF-së

Sa vjen dhe thellohet debati në lidhje me emrin e stadiumit të ri, që pritet të inaugurohet në muajin nëntor, kur Shqipëria të luajë me Francën. Federata ka nxjerrë në shitje emrin e këtij stadiumi, duke ftuar kompani të fuqishme për t’i dhënë emrin e tyre. Pra, ish-stadiumi “Qemal Stafa” do të ketë një emër sponsori, emrin e një banke, një kompanie sigurisht apo nafte. Një version që kundërshtohet nga një pjesë e madhe e tifozëve. Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, madje jo vetëm të tifozëve. Një postim kundërshtues, ironik dhe me kunja ka bërë edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili bën apel që të mos shitet “Qemal Stafa”.

“Tregtarë, kur nuk shisni dot garën tuaj, mos shisni “Qemal Stafën”! Pyetje për çdo tregtar: 1.Cila kompani nafte ka emrin në “WEMBLEY” të Londrës, Anglisë? 2.Cila bankë ka emrin në “STADE DE FRANCE” të Parisit, Francës? 3.Cila kompani sigurimi ka emrin në “OLYMPIASTADION” të Berlinit, Gjermanisë? 4.Cila kompani telefonie ka emrin në “STADIO OLIMPICO” të Romës, Italisë? 5.Cila kompani vezësh ka emrin në “SANTIAGO BERNABEU” të Madridit, Spanjës? Doni më shumë? “SanSiro” në Milano ishte oligark nafte? “SanPaolo” në Napoli ishte oligark financash? “ArtemioFranchi” në Firenze ishte oligark sigurimesh? “OldTrafford” në Mançester emrin e cilës kompani mban? Të gjitha këto kompani, kanë emrat në kampionatet, ligat-garat në Angli, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë! Kur nuk tregtoni dot garën tuaj, mos shisni “Qemal Stafen”. Ky ishte postimi i zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, i cili ka thumbuar edhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka (pronar i një kompanie që tregton vezë).

Erion Braçe dhe presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, në tribunën e ish-stadiumit "Qemal Stafa". Gazeta Si, 21 gusht 2019

Ka reaguar sot FSHF-ja në lidhje me këtë çështje. Një reagim që mban emrin e administratorit të stadiumit të ri, Bardhyl Minxhozi. Një reagim që më shumë se për të bindur publikun pse stadiumi i ri duhet të ketë një emër tregtar, është një kundërpërgjigje ndaj postimit të numrit 2 të qeverisë shqiptare.

“FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e publikut në lidhje procesin e emrit të ri të stadiumit, dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj për gjetjen e një sponsori nuk është shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë, ai Liverpulit, Mançester Junajtid dhe Totenhemit. Ekspertët vlerësojnë se këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit, sepse historia e emrit tyre “shet” më shumë se emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita qindravjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA: Amex Stadium-Brighton, Etihad Stadium –Manchester, Emirates Stadium–London, Allianz Arena–Munich, Mercedes-Benz Arena–Stuttgart, Orange Velodrome-Marseille, MetLife Stadium–Neë Jersey USA, FedExField–Maryland USA.
Stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”. Shqetësimi publik i segmenteve të caktuara “tifozo-pushtetare” në lidhje me çështjen e emrit s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e radhës së përbaltjes ende nuk e ka të qartë si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike. Garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proces do të zhvillohet për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë një impiant modern dhe me vlera si stadiumi i ri”, - shkruhet në qëndrimin e administratorit Minxhozi.

Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së. Bardhyl Minxhozi, i dyti lart, nga e djathta. Gazeta Si, 21 gusht 2019

Një argument logjik është ai se FSHF-ja kërkon të sigurojë sa më shumë të ardhura nga sponsorët, për t’i përdorur për mirëmbajtjen e impiantit modern, pasi dihet që kostoja e mirëmbajtjes do të jetë e laftë, ashtu si dhe kostoja e ndërtimit të stadiumit. Por, që emri i ri i stadiumit, cilido qoftë, të “shesë” më shumë se “Qemal Stafa”, apo “Arena Kombëtare”, duket e vështirë, për të mos thënë se është e kundërta. Edhe argumenti që stadiumi ri të ketë një emër sponsori nuk është një “shpikje shqiptare”, nuk do të thotë asgjë. FSHF-ja kishte lënë si afat përfundimtar për ofertat e sponsorëve 15 gushtin, por deri tani nuk është bërë e ditur se cilat kompani kanë depozituar ofertën për t’i vënë emrin e tyre stadiumit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë