Politike

Braçe: Lajmi i përhapur i qëllimshëm, nuk i falim, përballje me ligjin

Qeveria do t’i shkojë deri në fund ndëshkimit të atyre që kanë përhapur lajmin e rremë nëpër portale se në ora 23:30 do të kishte një tërmet të fuqishëm. Numri dy i qeverisë, Erjon Braçe i cili tha se lajmi i djeshëm, ishte i qëllimshëm dhe i rremë, ndërsa shtoi se autorët do të përballen me ligjin.
“Autorët e këtij lajmi të rremë do të përballen me ligjin në fuqi. Forca e ligjit do t’i japë fund këtij dezinformomi. Loja me lajm të rremë duhet të marrë fund ligjërisht. Askush nuk ka ndërmend sot dhe as nesër që të falë lotët e të qarave të foshnjave, që dëgjoheshin dje. Nuk kam ndërmend të fal akthin e prindërve dje me fëmijët në prehër. Nuk kam ndërmend të fal mundimin e të moshuarve. Nuk kemi ndërmend t’i falim dhe nuk bëjmë kompromis me atë që ndodhi dje. Kush nga këta që mendon se çudia më e madhe zgjat 3 ditë, madje dhe ata politikanë, si ai që ka munduar këtë popull për 30 vite, nuk do ia dalë”, tha Braçe.
Më tej ai shtoi se “Loja me lajmet e rreme në politikë është kthyer në sport, por loja me lajme të rreme do marrë fund tani ligjërisht. Nuk kam ndërmend të fal ankthin dhe frikën e tejskajshme të prindërve, nuk kam ndërmend të fal mundin dhe stërmundimin e të moshuarve që me zor dje janë çuar nga shtrati, nuk bëjmë kompromis me atë që ka ndodhur dje”. Policia arrestoi dy gazetarët punonjës te Syri.net dhe Gazeta "Shekulli" për shkak të lajmit të botuar, por më vonë, uniformat blu lajmëruan se u lanë të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë