Futboll

Botërori i klubeve, peshkatarët e Kaledonisë së Re trembin sheikët e Katarit

Në Doha ka nisur dje Botërori i klubeve. Ndeshja hapëse ishte ajo mes diletantëve të Hienghene Sport nga Kaledonia e Re dhe të zotëve të shtëpisë, Al Sad. Koha e rregullt ka përfunduar në barazim, 1-1, ndërsa në shtesë ekipi nga Katari shënoi edhe dy herë, duke fituar 3-1.

Ka qenë një nisje surprizë e Kupës së Botës për klube. Nuk ishte menduar që Hienghene Sport, kampionët e Oqeanisë, ta komplikonin aq shumë ndeshjen me Al Sad të Katarit, duke e detyruar këtë të fundit të shpenzojë shumë energji. Në stadiumin e Dohas ka nisur festa pas 26 minutash, kur Baghdad Bounedjah i kaloi “sheikët” në avantazh. Por që në minutën e parë të pjesës së dytë ka ndodhur e papritura: Antoine Roine ka barazuar shifrat në 1-1. Asistin ia ka dhënë kapiteni i skuadrës, Bertrand Kai, i cili punon si përgjegjës i një mense shkolle në vendin e tij dhe në kohën e lirë del për gjah dhe për peshkim. Sporti më popullor në Kaledoninë e Re është serfi.

Hienghene është skuadra e parë e Kaledonisë së re që ka fituar Championsin e Oqeanisë dhe merr pjesë për herë të parë në Botërorin e klubeve, ku i duhet të kthehet në shtëpi që pas ndeshjes së parë. Në shtesë Al Sad shënoi dy herë me Hasan dhe Miguel dhe u kualifikua. Ekipi nga Katari tani duhet të përgatitet për ndeshjen e radhës me Monterein, ndërsa Al Hilal ndeshet me Esperance. Në gjysmëfinale kalojnë direkt Liverpuli dhe Flamengo, që presin fituesit e këtyre dy çifteve. Finalja luhet më 21 dhjetor.

Për heronjtë e Kaledonisë së Re kjo humbje mbetet gjithsesi një kujtim i bukur, që do t’u tregohet brezave që do të vijnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë