Futboll

Botërori i femrave/ Anglia kalon mes drithërimash, në çerekfinale edhe Australia

Gazeta Si – Në Brisbane anglezet, në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Xhejms, janë kualifikuar me penallti për në çerekfinale, duke eliminuar Nigerinë. Kampionet e Europës do të ndeshen tani me fituesen e çiftit Kolumbi-Xhamajkë.

Nigeria ishte pa fat, pasi goditi tarversën në këtë ndeshje. Tri minuta para fundit Lauren Xhejms u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Alozi. Vendimi u mor pasi u panë pamjet me VAR.

Në shtesë nigerianet kishin shansin të kalonin në avantazh, teksa Alozie ishte e vetme në zonë, por goditi keq me të majtën. Te penalltitë anglezet ishin më të sakta, golin vendimtar e shënoi ‘heroina’ e finales së Euro 2022, Kloe Keli.

Është kualifikuar për në çerekfinale edhe Australia, një nga dy vendet organizatore, pasi mundi 2-0 Danimarkën. Pas fillimit të mirë të skuadrës europiane, Australia e mori veten dhe e dominoi kundërshtarin. Ford dhe Raso shënuan golat e fitores për australianet, që në çerekfinale do të përballen me Francën ose Marokun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë