Futboll

Botërori 2022, Katari nuk do të pranojë lojtarët e pavaksinuar

Katari, vendi organizator i Botërorit të futbollit 2022, po përpiqet ta bëjë të detyrueshme vaksinën anti-Covid-19 për të gjithë futbollistët që do të marrin pjesë në këtë turne vitin e ardhshëm. Autoritetet mjekësore të Katarit, sipas shtypit britanik, kanë diskutuar me FIFA-n dhe palë të tjera të interesuara, me qëllimin që të garantojnë që gjithë lojtarët pjesëmarrës të kenë bërë të dyja vaksinat.

Qeveria e Katarit ka bërë të ditur se të gjithë tifozët që do të marrin pjesë në ndeshjet e kampionatit botëror duhet të jenë të vaksinuar dhe tani e njëjta gjë kërkohet edhe për futbollistët dhe pjesëtarët e stafeve teknike. Ka edhe një hipotezë, që lojtarët “No-Vax” duhet të paraqesin një test negativ çdo tri ditë.

Foto ilustruese. Gazeta Si, 20 shtator 2021

"Në kuadër të pandemisë së Covid-19, Katari, si vend organizator, do të ofrojë garancitë e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e të gjithë personave të përfshirë në kompeticion. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të ndjekin këshillat nga autoritetet e Katarit dhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetit. Informacioni komplet për masat e sigurisë ndaj Covid-19 do t’u komunikohen të gjithëve në prag të kompeticionit", - ka thënë një zëdhënës i FIFA-s për “The Athletic”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë