Motosport

Botas te Mercedesi edhe në 2021-shin, sjell pikë dhe shkon mirë me Hemilton

Valteri Botas do të vazhdojë me Mercedesin edhe vitin e ardhshëm. Njoftimi zyrtar është dhënë sot. Hipoteza e një “dream team” me Sebastian Fetel dhe Ljuis Hemilton nuk ka rënë poshtë, edhe pse Mercedesi pas viteve të tensionit me Niko Rosberg, preferon një hierarki të qartë. Hemilton fari i skuadrës dhe një pilot i dytë që sjell pikë.

Piloti finlandez, Botas, ka fituar gjatë këtyre viteve besimin e Toto Volf pikërisht për faktin se ka garantuar pikë të rëndësishme në garën e konstruktorëve dhe nuk ka krijuar kurrë polemika. “Po shohim Valterin më të fortë të karrierës së tij sa u takon paraqitjeve në gara, anës fizike dhe asaj mendore. Është i dyti në kampionat, e mbylli sezonin e fundit në po këtë pozicion dhe ka një rol shumë të rëndësishëm në paraqitjen e skuadrës sonë. Jam i bindur se sot kemi dyshen më të fortë të pilotëve të Formula 1. Firma e Valterit është një hap i rëndësishëm përpara për të ruajtur këto forca për të ardhmen. Botas është një djalë korrekt dhe ka një raport shumë të mirë me të gjithë brenda skuderisë, duke përfshirë edhe shokun e skuadrës”, – tha Volf.

“Jam shumë i lumtur që do të qëndroj te Mercedesi edhe në vitin 2021 dhe do të shfrytëzoj suksesin që kemi arritur bashkë, – është shprehur Botas, i cili në garën e fundit, për një defekt, nuk mundi të zinte vendin e dytë. – Vitet e fundit kam punuar për t’u përmirësuar në çdo aspekt. Jam i bindur se jam më i fortë se kurrë, por mund të rritem edhe më shumë. Edhe Mercedesi ka të njëjtën filozofi: do të përmirësohet dhe ka gjithmonë më shumë uri. Që fëmijë ëndërroj të bëhem kampion bote, jam në garë për titullin këtë vit dhe qëndrimi te Mercedesi më jep mundësinë më të mirë për të qenë kompetitiv edhe sezonin e ardhshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë