Sezoni i ri Formula 1 starton pas disa javësh dhe makina e re “Mercedes-Amg W12 E Performance” do të prezantohet më 2 mars, në pritje të garës së parë në Bahrein, më 28 mars. Për Valteri Botas “misioni” nuk do të jetë i lehtë: të thyejë dominimin e shokut të skuadrës, 7 herë kampionit të botës Ljuis Hemilton.
Piloti i datëlindjes 1989 po i kalon këto javë dimërore në Finlandën e tij, ku i është dedikuar relaksit dhe stërvitjes mes sportit në natyrë, në kontakt direkt me dëborën, dhe palestrës. Botas po kujdeset maksimalisht për fizikun, që kur të vijë momenti për të vënë kaskën në kokë dhe të veshë uniformën e “shigjetës së argjendtë”, të jetë plotësisht gati.
Në profilin e tij në Instagram piloti finlandez tregon përditshmërinë, ku sporti është gjithmonë i pari dhe fotot e bëra në -22 gradë celsius gjatë vrapit mes dëborës dhe pyjeve të zbardhura, kanë bërë xhiron e botës. “Është gjithmonë i mirë moti për një vrap, - ka shkruar piloti finlandez në Instagram. – Në -22 gradë dhe me pak erë, nuk ka shaka”.
Botas sheh nga e ardhmja, tek ajo që do të bëjë me Mercedesin e tij, ndaj dhe i ka përqendruar energjitë te sërvitjet e gjata, shpesh në ajër të pastër. Profilet e tij në rrjetet sociale tregojnë pasionin e tij për vrapin dhe ecjet e gjata. “Një tjetër ditë epike, duke ndërtuar bazën e sezonit të ri”, - shkruan Botas.
Në shumë foto ai shfaqet bashkë me mikeshën e tij Tifani Kromuell, australianen kampione të çiklizmit në rrugë. Përveç vrapimeve të gjata në natyrë, stërvitja e pilotit të Formula 1 përfshin edhe seanca në palestër, që kanë të bëjnë me formimin e muskujve. Objektivi? Të kthehet në timon për sezonin 2021, duke mos i lënë asgjë rastësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.