Bota

Botas i pari në Rusi, Hemilton penalizohet dhe kënaqet me vendin e tretë

Edhe të mëdhenjtë gabojnë. Me një gabim në nisje, “Çmimi i Madh” i Rusisë për Ljuis Hemilton përfundoi pa filluar. Kampioni i botës sot, nëse fitonte në Soçi, do të barazonte rekordin e 91 fitoreve të Mikael Shumaker. Për atë nisje në një zonë të gabuar anglezi mori një dënim prej 10 sekondash, që kushtëzoi garën e tij dhe kështu takimi me historinë është shtyrë për në një garë tjetër. Vend i tretë për Hemilton në Rusi.

Moment nga gara. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Ka fituar Balteri Botas, i cili duket se ka një raport të mirë me pistën e Soçit, ku ka fituar edhe në vitin 2017. Dhe ishte fitorja e parë për të në Formula 1, kurse sot ka regjistruar fitoren e 9-të në karrierë. As Maks Vershtapen nuk ia doli të ndalte suksesin e makinave Mercedes, edhe sot superiore. Ai zuri vendin e dytë në Soçi, por sapo një Mercedes është në vështirësi, është gati të përfitojë.

Gabimi i Hemiltonit këtë radhë është i gjithi i tij dhe jo i skuadrës. Kampioni i botës është kapur teksa bënte provën e nisjes në fund të korsisë së shpejtësisë, jo në zonën e caktuar. Ndoshta ishte një nënvlerësim, por duket e pabesueshme që një si Ljuis Hemilton ta kompromentojë garën në një mënyrë të tillë. Komisarët e pistës e kanë penalizuar dhe kështu iu hoq mundësia për të fituar.

Klasifikimi pas garës së Rusisë. Gazeta Si, 27 shtator 2020

Gara e Soçit pati emocione vetëm në fillimin e saj, ku Lens Stroll u përplas me Ferrarin e Sharl Leklerk. Ferrari e mbylli garën me një vend të 6-të të Leklerk, pas Racing Point të Serxhio Perez (i katërit). Sebastian Fetel u rendit i 13-i, para Alfa Romeos të Kimi Raikonen, rekordmen i Formulës 1 tashmë me 323 gara. Gara e radhës është në Gjermani pas dy javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë