Lajme

Bota po shemb digat!

Nga Ardit Hoxha dhe Xhuliana Toci - Shqipëria është përfshirë në rrjedhën e një “cunami” të madh digash dhe hidrocentralesh që pritet të ndërtohen në të gjithë lumenjtë e egër të vendit tonë. Vetëm mbi lumin Vjosa, një nga mrekullitë e natyrës mesdhetare, janë planifikuar 33 projekte hidroelektrike. Por a duhet të “sakrifikojmë” natyrën për të rritur investimet ekonomike? Dhe a janë vërtet digat e ardhmja e energjisë së rinovueshme?

Një studim i ri thotë se shumë hidrocentrale në Europë dhe SHBA kanë pasurpasoja katastrofike për mjedisin. Shumë nga këto diga po hiqen çdo vit, duke ukonsideruar si të rrezikshme dhe joekonomike. Autorët e studimit kanë frikë se natyra e paqëndrueshme e këtyre projekteve nuk është njohur në vendet në zhvillim, si Shqipëria dhe fqinjët e tjerë ballkanikë. 

Planet e qeverive të rajonit  kanë alarmuar prej kohësh organizatat kombëtare e ndërkombëtare, pasi shumë prejlumenjve të paprekur të Europës ndodhen pikërisht në këtë rajon, i cili ka rreth 40% të kërmijve dhe midhjeve të kontinentit, plus 69 lloje peshqish endemikë,mes të cilëve edhe salmonin e Danubit. Ndërtimii projekteve të paqëndrueshme do të ishte një goditje e rëndë, të cilën rajoninuk do të mund ta përballonte, as financiarisht, as në aspektin e humbjes sëburimeve të ujit, e cila do të sillte pasoja katastrofike për bujqësinë dheekonominë.

Pasojat në Shqipëri

Ajo që shohim nga bregdeti shqiptar në 30 vitet e fundit është shumë ndryshe nga çfarë ka qenë tre dekada më herët. Teksa prej disa vitesh ambientalistët po ngrenë zërin se ndryshimet klimatike do të thellohen akoma dhe më shumë në të ardhmen për shkak të ngrohjes globale, duket se ndryshimeve në vijën bregdetare po i bashkohet një tjetër faktor. 

Vjosa 

Digat e hidrocentraleve të ndërtuara në lumenjtë shqiptarë në 60 vitet e fundit për të krijuar energji elektrike kanë edhe pjesën e tyre të fajit.

Një investigim nga Qendra Shqiptarepër Gazetari Cilësore në bashkëpunim me Qendrën e New England-it për Raportimin Investigativ, në SHBA, zbuloi se vitet e fundit qeveria shqiptare ka aprovuar ndërtimin e qindra HEC-eve në vend, pavarësisht paralajmërimeve të kritikëve se këto hidrocentrale po përshpejtojnë erozionin në bregdet dhe po vendosin banorët e pambrojtur në rrezik.

Aktualisht në vendin tonë janë më shumë se 44 HEC-e që prodhojnë gati 98% të energjisë elektrike që hidhet në treg nga prodhuesit vendas. Nëse duam të shohim një pjesë të bregdetit shqiptar, ku efekti dëmtues i digave të hidrocentraleve në vijën bregdetare në Shqipëri shfaqet më hapur është në lagunën e Kune-Vain në Shëngjin.

Sipas vëzhgimit që bëri, ACQJ, bregdeti i Kunes ka humbur 400 metra që nga viti 2000, ndërkohë që rritja e nivelit të detit, shkaktuar nga ndryshimet klimatike, ka krijuar një peizazh të frikshëm, me pemë dhe ndërtesa betoni që janë nën pushtetin e ujit.

Por ky dëmtim që i është bërë bregdetit shqiptar deri në këto momentipremton të jetë vetëm filimi i katastrofës. Qeveria shqiptare ka miratuarndërtimin e 338 HEC-eve ndërmjet viteve 2002 dhe 2017 dhe efekti i tyre në vijë bregdetare do të fillojë të ndihet 10 deri 15 vite pas fillimit të aktivitetit.

Hidrocentralet janë mbrojtur me fanatizëm nga ish-kryeministri Sali Berisha, që gjatë kohës kur ishte kryeministër theu çdo rekord të mundshëm sa i përket numrit të konvencioneve të dhëna për ndërtimin e këtyre veprave. Berisha ka mbrojtur ndërtimin e hidrocentraleve edhe në zona, ku raporti i prodhimit të energjisë me dëmin që i shkaktohet peizazhit natyror është në favor të këtij të dytit.

Fierza

Rasti më i freskët për këtë çështje është ndërtimi i disa hidrocentraleve në Luginën e Valbonës. Por edhe ministri aktual i energjisë Damian Gjiknuri nuk është shprehur totalisht kundër, duke e justifikuar ndërtimin e hidrocentraleve me rritjen e nevojave të vendit për energji elektrike.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i hidrocentraleve në lumenj si ata në alpe, përveç gjithë aspekteve të tjera, njihen edhe si lumenj me kapacitet të madh akumulues të sedimenteve për shkak të shpejtësisë me të cilën lëviz uji dhe të terrenit. Ndonëse hidrocentralet për vite me radhë janë quajtur një burim ekologjik për prodhimin e energjisë, zbulimet dhe studimet e fundit janë duke provuar të kundërtën.

A janë ndërtuar më shumë hidrocentrale sesa duhet?

Hidrocentralet janë burimi i 71% të energjisë së rinovueshme në të gjithë botën dhe kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e shumë vendeve.

Por studiuesit thonë se ndërtimi i digave në Europë dhe SHBA ka arriturkulmin në vitet 1960 dhe ka qenë në rënie që nga ajo kohë, madje shumë prejtyre tani janë çmontuar. Hidrocentralet furnizojnë vetëm rreth 6% të energjisëelektrike amerikane dhe digat po hiqen në të dy anët e Atlantikut.

Sipas autorëve të këtij studimi, problemi është se qeveritë u verbuan nga perspektiva e prodhimit të energjisë elektrike me një kosto minimale, pa marrë parasysh pasojat mjedisore dhe sociale.

Digat kanë dëmtuar ekologjinë e lumenjve, kanë zhvendosur miliona njerëz, kanë kontribuar në ndryshimin e klimës duke lëshuar gazra serë, kanë shkaktuar dekompozimin e tokave dhe kanë përmbytur mijëra hektarë pyje.

"Ata flasin me të madhe në media për përfitimet, por pasojat në mjedis injorohen dhe bien mbi shoqërinë shumë më vonë", tha për BBC, autori kryesor i studimit, Emilio Moran.

Shembja e digës Oroville në Kaliforni në vitin 2017

Raporti i tij përmend shembullin e dy digave në lumin Madeira në Brazil, të cilat përfunduan vetëm pesë vjet më parë dhe parashikohet të prodhojnë vetëm një pjesë të energjisë që ishte parashikuar, për shkak të ndryshimeve klimatike. Në vendet në zhvillim, rreth 3,700 diga, të mëdha dhe të vogla, janë tanimë në faza të ndryshme të ndërtimit.

Autorët thonë se shqetësimi i tyre i madh është se shumë nga këto diga do të shkaktojnë dëme të pariparueshme për lumenjtë e mëdhenj mbi të cilët ata kanë gjasa të ndërtohen.

Në lumin Kongo, projekti “Grand Inga” pritet të prodhojë më shumë se një të tretën e energjisë elektrike totale që prodhohet aktualisht në Afrikë. Megjithatë, studimi i ri thekson se qëllimi kryesor për ndërtimin e digës 80 miliardë dollarëshe do të jetë sigurimi i energjisë elektrike për industrinë.

"Mbi 90% e energjisë nga ky projekt do të shkojë në Afrikën e Jugutpër minierat por banorët e Kongos nuk do të kenë asnjë përfitim nga ky investim", thotë Moran. “Furnizimi me energji i zonave rurale ka kaluar në plan të dytë nga interesat e kompanive private”, shton eksperti.

Ai ngre alarmin se instalimet e mëdha të hidrocentraleve në këto lumenj do të shkatërrojnë burimet ushqimore dhe do të zhysin në varfëri të gjitha qytezat që varen nga peshkimi. Autorët gjithashtu besojnë se digat do të shkatërrojnë mijëra specie. 

Diga Hoover në SHBA ka pësuar rënie të niveleve të ujit në vitet e fundit

Në Brazil, i cili e merr 67% të energjisë elektrike nga hidrocentralet,përgjigja ndaj kapacitetit të reduktuar të ujit për shkak të ndryshimeve klimatike është ndërtimi i digave të tjera. Me zgjedhjen e presidentit të ri, planet për ndërtimin e 60 diga të reja do të bëhen realitet.

"Hidrocentralet e mëdha nuk kanë të ardhme, ky është përfundimi zyrtar në të cilin kemi arritur," thotë Moran.

3000 mijë diga?

Sipasnjë dokumentari të ri nga “Blue Heart” rreth 2800 diga të reja do të ndërtohen nga Sllovenia në Greqi, ndërkohë që Shqipëria konsiderohet si pika më e nxehtë, me 81 diga në ndërtim e sipër. “Blue Heart” dokumenton betejën për lumin më tëmadh në Europë, Vjosën dhe përpjekjet e banorëve dhe aktivistëve për të ndalur qeverinë.

“Këtodiga mund të shkatërrojnë lumin më të madh në Shqipëri dhe të vënë në rreziksalmonin e Danubit, të rrezikojnë mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit dhe tëzhvendosin një sërë komunitetesh në të gjithë rajonin”, thotë një ekspertgjerman gjatë dokumentarit.

https://www.youtube.com/watch?v=1ugp0Ax662M

Ballkani ka disa nga lumenjtë më të pastër në Europë, ndryshe nga  Europa qendrore, ku bujqësia intensive dhe industrializimi kanë kërcënuar përrenjtë dhe lumenjtë që ku jetonin dikur mijëra specie. Ende nuk është bërë një vlerësim për pasojat e përgjithshme në mjedis, por ulja e nivele të lumit sipas aktivistëve, vret habitatet që varen nga ai dhe rrit rrezikun e përmbytjeve.

Shumë vende të Ballkanit gjithashtu po investojnë shumë në qymyr dhe përmirësimin dhe zëvendësimin e centraleve ekzistuese, për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Klimës së Parisit për energjinë e rinovueshme. Shtetet ballkanike që kërkojnë anëtarësimin në BE do të jenë gjithashtu nën presion të madh nga Brukseli, pasi unioni synon që deri në vitin 2030, më shumë se 27 përqind të energjisë të vijë nga burime të qëndrueshme. Lumenjtë e Ballkanit janë me vlerë të jashtëzakonshme brenda Europës, por digat ka gjasa të shkatërrojnë njëherë e përgjithmonë biodiversitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë