Futboll

Borxhet e mëdha, Milani detyrohet të shesë që në janar dy yje

Borxhi te Milani është thelluar pas shpenzimeve të bëra në merkaton e verës dhe e vetmja zgjidhje është që të shesë në janar. Klubi kuqezi ka një bilanc negativ dhe është e domosdoshme që në merkaton e dimrit të shesë disa prej yjeve të ekipit, të cilët tashmë janë në treg. Prioritet për klubin është që të rregullojë bilancin.

Dy emrat e parë që pritet të lënë Milanin në janar janë sulmuesi spanjoll Suso dhe portieri italian Donaruma. Janë dy elementët që sot vlejnë më shumë dhe nga shitja e mundshme e tyre Milani do të përmirësonte bilancin. Përfitimet financiare të kuqezinjve në këtë rast janë “të thata”, sepse Milani nuk ka shpenzuar asgjë për blerjen e tyre. Megjithatë, për momentin nuk ka oferta konkrete nga klubet e tjera në Europë as për Suson dhe as për Donarumën.

Donaruma dhe Suso, dy yjet që Milani pritet t'i shesë në merkaton e dimrit. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Milanit në këtë moment mund t’i vijë në ndihmë Leonardo, personi që ka bërë jo pak shpenzime kur mbante postin e drejtorit teknik të kuqezinjve. Aktualisht ai është drejtor sportiv i PSG-së dhe është një nga ata që besojnë më shumë te Paketa. Ishte ai që e mori nga Flamengo te Milani dhe tani është gati të bëjë një ofertë për ta transferuar në Paris. Një ofertë që mendohet të jetë e favorshme për Milanin, duke e ndihmuar klubin të mbushë arkën. Edhe mbrojtësi Romanjoli është një nga lojtarët që mund të përfundojë në merkato, pasi për të ka interes, ndërsa mesfushori Frenk Kesi ka një ofertë nga Volverhampton në Angli. Sulmuesi Piatek për momentin ka humbur shumë nga vlera e tij, sepse është në krizë dhe, nëse kthehet si në fillimet e tij me fanellën kuqezi, edhe ai mund të shitet. E sigurt është se Milani në janar do të humbë pjesë të rëndësishme të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë