Politike

Boris Johnson “sfidon” Parlamentin! Strategji për shkëputje pa marrëveshje

Beteja e Boris Johnson me parlamentin britanik mbi “Brexit”, nga faza e deklaratave dhe akuzave publike ka kaluar në atë juridike. Kryeministri britanik pritet që të “sfidojë” deri në sekondat e fundit ligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve që e detyron të kërkojë shtyrje të afatit të shkëputjes me Brukselin brenda datës 19 tetor.

Ligji, që pritet të marrë dekretin mbretëror ditën e hënë, synon të parandalojë shkëputjen më 31 tetor pa një marrëveshje me Bashkimin Europian. Nëse ky kusht nuk respektohet, ligjvënësit kundëdrshtarë kanë paralajmëruar Boris Johnson se mund të përballet me pasoja ligjore.

Nga kabineti i Boris Johnson askush nuk e vuri në mëdyshje zbatimin e ligjit të nxjerrë nga Parlamenti, por reagimi i tyre lë shteg për një interpretim të veçantë që ekzekutivi britanik mund t’i bëjë. Dominic Raab, ministër i Jashtëm tha se Qeveria do të zbatojë ligjin dhe do të studiojë me kujdes interpretimin e tij, ndërsa Said Javid e plotësoi panoramën duke deklaruar se “Qeveria do të zbatojë ligjin, por se nuk do t’i kërkonte në asnjë mënyrë Bashkimit Europian një shtyrje të afatit të shkëputjes.

“Sigurisht që do t’i bindemi ligjit. Ne po punojmë për shkëputjen më 31 tetor. Ne do të largohemi më 31 tetor. Duhet të prisni se çfarë do të ndodhë deri më 19 tetor, sepse ka shumë ditë përpara”, tha Javid.

Sipas analistëve britanike, strategjia e Johnson është tejkalimi i këtij afati për kërkuar shtyrjen e afatit të shkëputjes në Bruksel. Kjo do të thotë se para datës 19 tetor, Qeveria as do të marrë një vendim për shkëputje, me apo pa marrëveshje, por as do të bëjë përpjekje për të ndalur shkëputjen pa marrëveshje të parashikuar më 31 tetor.

Megjtihatë, Johnson po përballet gjithnjë e më shumë me rezistencë edhe brenda partisë dhe kabinetit që drejton. Pas dorëheqjes së vëllait të tij nga posti i zv-ministrit, Amber Rudd, ish-ministre e Brendshme është larguar nga kabineti në shenjë proteste ndaj dëbimit të 21 deputetëve nga grupi parlamentar i konservatorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë