Politike

Boris Johnson e braktis edhe vëllai! Jo dorëhiqet nga posti i deputetit dhe ministrit

Jo Jonson, vëllai i vogël i Kryeministrit britanik, Boris Johnson u dorëhoq nga posti i deputetit dhe ministrit të Qeverisë duke cituar për këtë vendim “dyzimin mes besnikërisë familjare dhe interesave kombëtare”.

Ministri i Sipërmarrjes dhe deputet në Dhomën e Përfaqësuesve për Orpingtonin, në jug-lindje të Londrës tha se me rolin e tij të dyfishtë në kabinet dhe si deputet i konservatorëve po përballej me “tensione të pazgjidhshme”.

Në asnjë rresht të vendimit të marrë, Jo Johnson nuk citon përplasjen me të vëllain për Brexit, por për mediat britanike vendimi lidhet ekskluzivisht me qëndrimet e kundërta që vëllezërit Johnson kanë për shkëputjen nga Bashkimi Europian.

Jo Johnson mbështeti dhe votoi për qëndrimin në Bashkimin Europian në referendumin e vitit 2016 të thirrur nga ish-Kryeministri David Cameron, ndërsa përballë kishte të vëllain më të madh, Borsi që drejtonte fushatën pro shkëputjes.

Dorëheqja e tij pason përjashtimin e 21 deputetëve rebelë që iu kundërvunë Boris Johnson dhe u rreshtuan me opozitën laburiste kundër një shkëputjeje nga Brukseli pa marrëveshje. Ndonëse nuk e mbështet shkëputjen pa marrëveshje, emri i Jo Johnson nuk ishte mes tyre.

BBC thotë se Jo Johnson ishte kundër këtij spastrimi dhe se dy vëllezërit kishin qëndrime krejt të kundërta sa i takon Brexit. Johnson ishte pjesë e kabinetit të Theresa May, deri kur u dorëhoq vitin e kaluar si shenjë proteste kundër marrëveshjes së May kishte arritur me BE për Brexit. Ai u rikthye në kabinet këtë verë pasi i vëllai i tij më i madh mori drejtimin e Partisë Konservatore.

Dorëheqja mbërrin në një moment tejet të vështirë për Boris Johnson që brenda dy ditësh pësoi dy disfata në parlament, i cili mori në kontroll Brexit dhe miratoi një mocion që ndalon shkëputjen nga BE pa një marrëveshje.

Kryeministri britanik tashmë kërkon zgjedhje të reja të parakohëshme dhe për këtë do të vendosë sërish Parlamenti ditën e hënë. Si datë e propozuar prej tij është 15 tetori, dy javë para 31 tetorit që është afati i fundit i Brexit. Laburistët janë kundër zgjedhjeve para 31 tetorit. Në vend të kësaj ata propozojnë një referendum të dytë për Brexit dhe zgjatjen e afatit të shkëputjes përtej 31 tetorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë