Ne rrjet

Bomba e NYT: Trump pagoi vetëm 750 dollarë taksa vitin që u zgjodh president

Donald Trump, edhe pse manjat ndërtimi pagoi vetëm 750 dollarë taksat mbi të ardhurat vjetore në vitin kur u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Skandali u zbulua nga gazeta amerikane “New York Times” në një investigim që mund të trondiste zgjedhjet presidenciale.

" Trump ka shmangur për vite të tëra taksat federale", shkruante gazeta amerikane. Presidenti "pagoi 750 dollarë taksa mbi të ardhurat vitin që fitoi presidencën. Ai nuk kishte paguar fare taksa mbi të ardhurat në 18 vitet e mëparshme, kryesisht për shkak se raportonte se kishte humbur me shumë para sesa kishte fituar", theksonte gazeta. Shumë nga bizneset e tij, përfshirë klubet e tij golfit, raportuan humbje të konsiderueshme financiare, të cilat e kanë ndihmuar presidentin të ulë taksat vjetore.

“Times” gjithashtu tha se dokumentet që kishte shtënë në dorë përmbajnë informacione se Trump zotëron qindra miliona dollarë pasuri të vlefshme, por se nuk pasqyrojnë pasurinë e tij të vërtetë.

Sipas gazetës, ato nuk zbulojnë as ndonjë lidhje me Rusinë. ”

Gazeta tha se nuk do t'i publikonte dokumentet, në mënyrë që të mbrojë burimin e saj. Në një konferencë për shtyp të dielën, Trump bëri akuza të egra për komplotet kundër tij dhe ndaj kandidatit Joe Biden, me të cilin do të përballet për herë në një debat të martën. Ai e hodhi poshtë raportin e Times si "krejtësisht të rreme".

“Lajme krejtësisht të rreme. Në të vërtetë kam paguar taksa. Dhe do t’i shihni se sa më shpejt deklaratat e mia të taksave. Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme nuk më trajton mirë… ata sillen shumë keq me mua ", tha presidenti.  “New York Times e provoi, të njëjtën gjë, ata duan të shpikin histori. Ata po bëjnë gjithçka që munden. Kjo është më e pakta. Historitë që kam lexuar janë kaq të rreme, sa janë të falsifikuara ”.

I pyetur se përse një miliarder pagoi vetëm disa qindra dollarë në vitin që fitoi presidencën, Trump këmbënguli: "Së pari, unë pagova shumë dhe gjithashtu paguaja shumë tatime mbi të ardhurat e shtetit. Të gjitha do të zbulohen”, tha ai.

Zbulimet hedhin dyshime mbi deklaratat e Trump se ai është një biznesmen i suksesshëm.

Times gjithashtu tha se ai ka përdorur "masa të diskutueshme" për të ulur faturën e taksave mujore. Nëse akuzat vërtetohen, ai përballet me një gjobë të mundshme prej më shumë se 100 milion dollarësh.

Ndërkohë, Times premtoi publikim e të tjera të dhënave në javët e ardhshme, duke shtuar se Trump ka luftuar prej kohësh për t'i mbajtur private pagesat e taksave sepse tregojnë një histori krejtësisht të ndryshme nga ajo që ai i ka shitur publikut amerikan.

Trump do të përballet me Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Ai ka mohuar prej kohësh kërkesat e kundërshtarëve politikë dhe mediave për të publikuar të dhënave e taksave. Ai është presidenti i parë që nga vitet 1970 që mban të fshehura deklaratat e tij tatimore.

Times raportoi për çështjet e taksave të familjes Trump në fund të vitit 2018, duke fituar një Çmim Pulitzer.

"Edhe pse deklaronte se bizneset e tij kishin dalë më humbje, Trump ka arritur të shijojë një mënyrë jetese luksoze,  duke marrë zbritje taksash për ato që shumica e njerëzve do t'i konsideronin shpenzime personale”, shkruan gazeta.

Burimi: "New York Times"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë