Politike

Blof me Babanin? Bardhi: Ka dokumente. Dialog, jo pakte për kriza momentale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi deklaroi nga Shkodra se para denoncimeve çdo akuzë vërtetohet dhe për të sigurohet i gjithë informacioni. Bardhi, i cili ndodhej në Shkodër në një mbledhje me strukturat vendore të PD-së si i deleguar nga qendra, tha se në betejën për dekriminalizimin janë larguar deri sot mbi 300 funksionarë publik.
Partia Demokratike do të publikojë javën e ardhshme dokumente të tjera të cilat vërtetojnë sipas selisë blu akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Bashkisë Vau-Dejës, Mark Babani. Një fakt i tillë është bërë publik, nga numri dy i PD-së Gazmend Bardhi i cili ishte në Shkodër në kuadër të procesit të zgjedhjeve të sekretariateve në degën e PD Shkodër.

“Shkodra, Vora dhe Vau i Dejës janë tre rastet më të fundit të zbuluara. Edhe Valdrin Pjetri e mohoi dënimin e tij në Itali, por më pas u detyrua ta pranonte. Në momentin që PD-ja bën një denoncim ka informacionin e nevojshëm që vërteton akuzën. Ne i jemi drejtuar prokurorisë për të kryer një proces ligjor, por nuk do të presim në pafundësi. Në fillim të javës që vjen çdo informacion i disponuar nga ne do i bëhet i ditur publikut. Do u premtojmë qytetarëve dokumentacionin e plotë që kemi me këtë rast. Duke nxjerrë aq informacion që është e nevojshme për këtë moment. Prokurorisë për rastin e Pjetrit dhe Kajmakut u kemi vendosur në dispozicion më shumë dokumente se kemi publikuar. Të njëjtën jemi duke ndjekur edhe me rastin e Mark Babanit, apo katër apo pesë emrat e tjerë që ka përdorur në të shkuarën", deklaroi numri dy i PD-së tha Bardhi.

Partia Demokratike në datë 10 shtator i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e Mark Babanit, kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi sipas selisë blu dyshohet se ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Vetë kryebashkiaku Babani i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke deklaruar se nuk ka qëndruar as 24 orë në burg. Pavarësisht kësaj prokuroria ka nisur procedurat e verifikimit pas depozitimit të letrës së PD-së.
Por Bardhi theksoi se opozita ka dosjen e plotë. “"Edhe Valdrin Pjetri fillimisht e mohoi por më pas u detyrua të pranonte ajo që garantoj është që PD në momentin që bën denoncim publik ka arritur të sigurojë të gjithë informacionin e nevojshëm që vërteton denoncimin që bën. Nëse ai hesht siç ka heshtur gjatë orëve të pasdites unë do i përgjigjem me dokumentacionin përkatës në ditët në vijim. Nga e hëna nëse Babani nuk do të flasë se çfarë i kujton data 4 prill 1994, ne do t'ia bëjmë publike shqiptarëve këtë dhe dosjen e plotë që disponojmë për të”, theksoi Bardhi.

Si i deleguari i qendrës, Bardhi ndodhet në Shkodër në kuadër të zgjedhjes së strukturave drejtuese të degës dhe krijimit të bordeve të brendshme. Sa i takon vijimësisë së aksionit opozitar, Bardhi informoi që javën e ardhshme pritet të mblidhen strukturat e partisë. Gjithashtu ai reagoi edhe për ftesën e PS-së dhe të ndërkombëtarëve për nisur një dialog me mazhorancës, duke shtuar se më parë duhen nxjerrë shkaqen ku ndodhi një krizë e tillë.

"Kam pasur një reagim për kërkesën e ambasadorit të BE-së për palët politike. Kjo është një përpjekje e tyre për të ndihmuar për daljen nga kriza, por dialogu duhet të jetë i sinqertë, që nuk e zgjidh krizën tani dhe e rikthen sërish. Dialogu i sinqertë synon evidentimin e shkaqeve që e kanë çuar vendin këtu sot dhe marrjen e përgjegjësive të tyre. Shqiptarët nuk kanë nevojë për pazare, apo marrëveshje që zgjidhin kriza momentale”, theksoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë