Lajme

Bllokuan rrugën, arrestohet ekstremisti dhe një shtetas grek

Dy shtetas grekë, të akuzuar si organizatorë të bllokimit të trafikut pë më shumë se 10 minuta në aksin Gjirokastër-Kakavijë, janë arrestuar nga policia shqiptare.

Bëhet fjalë për ekstremistin e njohur, i cili është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, Babis-Harallambos Karathano dhe shtetasi Anestis Kracis.

Gjithçka ndodhi pas ceremonisë së varrimit, ku rreth 500 shtetas grekë, mes tyre shumë ekstremistë, lanë fshatin Bularat për tu kthyer në Greqi. Ata bllokuan aksin rrugor duke protestuar me të njëjta thirrje të lëshuara edhe gjatë ceremonisë mortore.

Vetë banorët thonë se bllokimi i rrugës ishte planifikuar duke bërë thirrje për drejtësi për shtetin shqiptar.

Më herët, u përcoll për në banesën e fundit si hero, me arkivolin e mbuluar me flamurin grek, minoritari Konstandinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë në Bularat të Gjirokastrës, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Ceremonia funerale u përmbyll rreth orës 15.00 pas mbajtjes së meshës në kishën e fshatit.

Në varrin e tij ishte shtruar një flamur grek, siç mund të shikoni në fotografi, ndërkohë që edhe pllaka e varrit shoqërohej me flamurin grek. Gjithë rrugës por edhe momenti i varrimit, u shoqërua me duartrokitje dhe këngë heronjsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë