Politike

Bllokimi i Kuvendit nga PD, PS ka gati skenarin. Balla jep direktivat: Do të votojmë rendin e ditës

Partia Socialiste e ka gati skenarin për të shmangur bllokimin e seancave të Kuvendit nga Partia Demokratike siç ndodhi të enjten e shkuar.

Burimet nga mbledhja e Grupit këtë të hënë treguan se kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dha direktivat për deputetët. Ai theksoi se socialistët do të votojnë rendin e ditës pavarësisht qëndrimit bllokues të opozitës.

“Në seancë plenare, në rast bllokimi nga PD, do të përsëritet i njëjti qëndrim i PS. Do të votojmë rendin e ditës pavarësisht qëndrimit bllokues të opozitës”, mësohet të jetë shprehur Balla.

Ndërkohë pas mbledhjes, në një dalje për mediat Balla ka komentuar kërkesën e disa deputetëve të opozitës për të shkarkuar nga detyra kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Ai theksoi se nuk gjen argument për shkarkimin e Nikollës.

“Këta mund të kërkojnë edhe shkarkimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit. Kërkesa të pafundme. Por e para është që nuk gjej qoftë dhe një argument të vetëm që të kërkosh shkarkimin e kryetares së Kuvendit, në kushtet kur kryetarja në seancën e fundit plenare, ka zbatuar rregulloren e Kuvendit. Rregullorja përcakton qartë se si disponon me vendimmarrje, kur bllokohet foltorja e Kuvendit. Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka të pamundur që të përmbushë detyrimet, në këtë rast është miratimi i rendit të ditës. Në kushte e deklarimit, një pjesë e deputeteve thanë se s’do të ketë punime normale.

Kuvendi do e bëjë të qartë. Asnjë lloj kërkese e kësaj forme nuk mund të miratohet dhe nuk mund të merret në konsideratë. Do mundohemi që diskutohet do zhvillohen. Deputetët që thyejnë rregulloren shpresojmë që mos të marrin pjesë në seancat plenare. Shpresojmë që në 2 shkurt Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Por situata që është krijuar është qesharake. Në dy seancat e para, në 16 janar është përcaktuar se do të kishte nga një fjalë. Çohet dikush e thotë; ‘topin e kam, do gjuaj penalltinë. Foltoren do e zë unë’. Kjo është situatë shumë qesharake”, tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist tha se ish agjenti i FBI, McGonigal ishte në Shqipëri në cilësinë e zyrtarit.

Lidhur me ngritjen e një Komisioni për çështje e McGonigal, Balla tha se firma e Sali Berishës nuk do të merret parasysh në asnjë rast.

Gjithashtu Balla tha se mazhoranca po merret me ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore.  “Lidhur me komisionet hetimore ne kemi ngritur një komision të posaçëm për ngritjen e komisioneve parlamentare dhe që lidhet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Janë plot 6 të tilla dhe që duhet të adresohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Që nga viti 2004 deri më sot në vitin 2022 nuk janë futur në legjislacion vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë