Ne rrjet

Blinken flet për shpalljen “non grata” të Berishës, fton kongresmenin t’i shohë vetë materialet që çuan në atë vendim

Nga Ruben Avxhiu

Kongresisti Lee Zeldin ngulmoi disa herë sot (e hënë) që Sekretari i Shtetit Antony Blinken të paraqesë publikisht ndonjë informacion konkret për caktimin e ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha në listën e atyre që u ndalohet hyrja në SHBA.

Shkëmbimi i përsëritur ndodhi gjatë një seancë dëshmie të Sekretarit Blinken në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, që deri në fund të vitit të kaluar drejtohej nga kongresisti Eliot Engel.

Kreu i Departamentit të Shtetit e ftoi kongresistin Zeldin dhe çdo anëtar të Komitetit që ishte i interesuar që të shkonte në sektorin ligjor të Departamentit për të parë procesin që ka sjellë caktimin e Berishës dhe familjes së tij në listën e ndaluar.

Ai tha se këto vendime zakonisht merren në kuadrin e shtimit të përpjekjeve të Departamentit të Shtetit për të kufizuar dhe penguar korrupsionin në botë si dhe ndikimin e tij në te drejtat e njeriut.

Zeldin e shpërfilli ftesën personale për në Departamentin e Shtetit dhe pyeti Sekretarin nëse mund të ndante ndonjë informacion aty në publik me Komitetin. Kur Blinken përsëriti ftesën e tij për çdo anëtar të Komitetit, kongresisti republikan nga Long Island, New York, e pyeti se çfarë duhet të bëjë një gazetar për të mësuar për procesin dhe për të marrë informacione për punën e Berishës.

Sekretari Blinken tha se çdo gazetar duhet të kontaktojë zëdhënësin e Departamentin e Shtetit për çfarëdo informacioni që lejohet për publikim. Të marrë pjesë në konferencat e shtypit, etj.

Në fakt, përpjekje të tilla janë bërë edhe nga gazeta “Illyria”, por informacioni në dispozicion të publikut nuk hedh dritë mbi detajet që kërkonte Lee Zeldin. Ndoshta, si Blinken ashtu edhe kongresisti nuk e dinin se këto orvajtje tashmë janë bërë pa dhënë ndonjë fryt.

Zeldin pastaj pyeti nëse filantropisti i njohur George Soros, të cilin Berisha e ka akuzuar në mënyrë të tërthortë se sa ka ndikuar këtë proces, ka komunikuar me Departamentin e Shtetit dhe me Sekretarin. “Sa për të qartësuar situatën”, tha Zeldin, mbase për të thënë se nuk po e merr të mirëqënë akuzën.

“Nuk kam folur ndonjëherë me të për këtë çështje. Nuk mund të flas për çdo njeri në Departamentin e Shtetit, por nuk kam pasur ndonjë komunikim me të”, tha Blinken në përgjigjen e tij.

Zeldin kaloi në tema të tjera dhe nuk duket se temat e Ballkanit morën ndonjë vëmendje tjetër të detajuar në këtë dëgjesë përveç këtij shkëmbimi. Mungoi një pyetje për Kosovën dhe dialogun e mundshëm me Serbinë. Ndihma e jashtme, origjina e virusit COVID-19 dhe raporti me Kinën, gjendja në Lindjen e Mesme ishin disa mes shumë temave që shqetësonin kongresistët.

Kongresisti Zeldin është bërë i njohur në komunitetin shqiptar për përpjekjet e tij për të sjellë drejtësi për Vëllezërit Bytyçi. Shqiptarët kanë bërë disa takime fondmbledhëse për rizgjedhjen e tij.

Komiteti i Punëve të Jashtme është drejtuar nga kongresisti Eliot Engel deri në 31 dhjetor 2020.

(Marrë nga Illyria.com)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë