Kombetarja

“Blerja” e re, Demiri: Nuk u mendova gjatë për Shqipërinë

Në konferencën e parë për shtyp para ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë, trajneri Panuçi “prezantonte” edhe “blerjet e reja” në listën e të grumbulluarve, Besir Demirin dhe Enea Mihajn. Rasti i Demirit është i veçantë, pasi ka luajtur me Maqedoninë U-21 dhe 2 ndeshje me Maqedoninë A. Mbrojtësi 24-vjeçar i krahut të majtë, i cili luan në Ukrainë me Mariupol, më parë ka qenë pjesë e Shkupit, Shkëndijës dhe Vardarit në Maqedoni. Në një intervistë për Gazeta Si, Demiri tregon pse vendosi të lërë Maqedoninë dhe të luajë për ngjyrat kuqezi, si rrodhën ngjarjet dhe objektivat me klubin aktual e Kombëtaren.

Besir, mund të na tregoni pse vendosët të luani për Shqipërinë? Kush ju kontaktoi?

Po, sa i përket vendimit për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë, nuk ka qenë aspak e vështirë. Nuk jam menduar gjatë, kur menaxheri i Kombëtares më kontaktoi dhe më tha se me urdhër të trajnerit duhej të pajisesha me pasaportë shqiptare.

Besir Demiri gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Shqipërisë

Si qëndron e vërteta e Maqedonisë, pse drejtuesit e saj nuk ju kontaktuan më?

Sa i përket Maqedonisë, isha pjese e rregullt e U-21 të saj, por edhe në 2 ndeshje me përfaqësuesen A. Nuk e di se ku ishte problemi, edhe pse gjatë gjithë kohës isha aktivizuar me klubet. Sidoqoftë, tani fundi është më i lumtur për mua, pasi jam pjesë e Kombëtares së shqiptarëve.

Pas vendimit për të qenë pjesë e Shqipërisë, a ka folur dikush nga Federata maqedonase me ju?

Po, është e vërtetë se më kanë kontaktuar nga federata maqedoanse, pasi dolën disa thashetheme nga mediumet se do të përfaqësoja Shqipërinë. Pastaj, edhe vetë ua kam vërtetuar vendimin që kisha marrë për të luajtur me Shqipërinë.

Si ju është dukur Kombëtarja e Shqipërisë në dy ndeshjet e fundit?

Ishin 2 ndeshje të ndryshme, ku në ndeshjen e parë, përveç rezultatit, mendoj së bëmë edhe lojë të mirë, ndërsa ne ndeshjen e dytë nuk luajtëm mirë, por kishim disa raste për gol që nuk i shfrytëzuam. Sidoqoftë, mendoj se këto dy ndeshje i kemi lënë prapa dhe shohim përpara.

Si e shikoni konkurrencën në Kombëatre, pasi në rolin tuaj është edhe Egzon Binaku?

Në kombëtare nuk shoh konkurrencë, këtë e kam thënë edhe në disa intervista, por kushdo që luan duhet të japë më të mirën dhe 100% nga vetja.

Besir Demiri (djathtas), me fanellën e Mariupol në Ukrainë

Cili është modeli juaj si futbollist, për cilën skuadër bëni tifo në Maqedoni, Shqipëri dhe në botë?

Modeli im është çdo futbollist që ka të njëjtën pozitë me mua. Gjithmonë mundohem të marr nga secili gjërat e mira që i shoh në fushë. Në Maqedoni, ku e kam filluar karrierën te FC Shkupi, gjithmonë e ndjek dhe jam tifoz i këtij ekipi. Në Shqipëri më pëlqen Tirana, ndërsa në botë ekipi i Milanit.

Si po shkon aventura te Mariupol në Ukrainë?

Deri tani, në ekipin e Mariupol kemi arritur objektivat kryesore të klubit. Jam këtu prej 10 muajsh dhe jam ambientuar mirë. Kampionati është i fortë dhe shpresoj që edhe këtë sezon t’i arrijmë objektivat.

Çfarë ambiciesh keni për të ardhmen, ku e shikoni veten?

Po, deri tani jam i kënaqur me karrierën se si është zhvilluar, por gjithmonë mundohem çdo ditë të ngrihem sa me lart. Tani për tani, jam i fokusuar vetëm këtu.

Besir Demiri

Kombëtarja shqiptare, sipas jush, ku mund të shkojë, mund të kualifikohet sërish në një Europian apo të shkojë në Botëror?

Kombëtarja, pas suksesit historik, mendoj se duhet ta harrojë atë sa më shpejt, sepse ka cilësi të shkojë përsëri në një Europian ose në një Botëror.

Ju vjen keq për faktin që nuk ka më shumë shqiptarë të Maqedonisë në Kombëtaren shqiptare?

Natyrisht, ka shumë shqiptarë në Maqedoni dhe ëndërr e secilit futbollist është të përfaqësojë Kombëtaren. Shpresoj që në të ardhmen të ketë sa më shumë shqiptarë nga Maqedonia në Kombëtare, pasi Kombëtarja është e gjithë shqiptarëve.

Intervistoi: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë