Mendim

Blegtorët në rrugë, një hotel në Tiranë dhe ministrja e Bujqësisë

Nga Gazeta 'SI' - Shqetësimit të blegtorëve që protestuan në rrugën Kardhiq-Delvinë për uljen e çmimit të qumështit, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, i dha përgjigje nga salla e një hoteli në Tiranë.

Ministrja këmbënguli se “vetëm me rregulla të qarta loje të një ekonomie tregu, mund të ecim përpara”, por blegtorëve u tha të “gjejnë gjuhën e përbashkët” me kompanitë përpunuese të qumështit.

Dëshmitë e blegtorëve që mbushën rrugët e jugut dhe shifrat zyrtare tregojnë se as dialogu e as tavolinat nuk mund të ringjallin këtë industri që ka nevojë për politika fiskale stimuluese.

Blegtorët në protestë në aksin Kardhiq-Delvinë, kundër uljes së çmimit të qumështit, janar 2024

Heqja e TVSH-së për qumështin e importuar një vit më parë, ishte një masë e qeverisë që goditi drejtpërdrejtë prodhimin vendas dhe stimuloi atë të importit. Në të njëjtën periudhë qeveria tentoi të taksojë qumështin pluhur me 100 lekë/litër, kompanitë e bulmetit e kundërshtuan fuqishëm dhe drafti nuk arriti kurrë në Kuvend.

Nga ana tjetër, zhvlerësimi i euros dhe pse shumë larg deleve e lopëve, favorizoi produktet e huaja, duke ulur kostot për kompanitë dhe rritur fitimet.

Edhe shifrat e INSTAT raportojnë një rënie të lirë të blegtorisë që nga 2020-a, me një reduktim të ndjeshëm të krerëve dhe tonëve të qumështit të prodhuar. Në 2022-shin qumështi i prodhuar në vend ra në 970 mijë tonë, kur më herët rezultonte gjithmonë mbi 1 mln.

Për blegtorët, nuk mund të ketë dialog me kompanitë që i trajtojnë si skllevër dhe vënë në rrezik dhe mbijetesën e tyre me çmimet e ulëta. Vetë qeveria sipas tyre, ka njësoj faj për rrënimin e blegtorisë duke mos reaguar dhe duke qëndruar “në zyrat luksoze që i kanë mobiluar me paratë që BE-ja jep për fermerët”.

Dialogu dhe komunikimi midis palëve, nuk zgjidh asnjë nga ngërçet e lartpërmendura, kur qindra blegtorë po luftojnë për mbijetesë, me sytë përtej kufirit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë