Biznes

Biznesi: Vendimi i qeverisë për të na gjobitur është antiligjor

Biznesi kundërshton deklaratën e kryeministrit se do të gjobisë bizneset e mëdha që nuk kanë aplikuar për  bonusin e luftës prej 40 mijë lekësh për punonjësit e larguar nga puna përpara datës 10 prill 2020.

Për të është antiligjore dhe “në momentin që punëtorët nuk figurojnë më në listpagesa, mund të aplikojnë vetë”.

Gjergj Buxhuku, Konfindustria

“Shkurt do thoja se nuk e di se në cilin legjislacion mbështetet në vënien e gjobës.!? Përndryshe, nëse nuk ka mbështetje ligjore, tregon se jemi në gjendje shumë të vështirë ekonomike të financave shtetërore dhe është lëvizje dëshpëruese dhe dështimin e paketave financiare kundër pandemisë. Natyrisht ka brenda edhe frymë populiste të pastër, por pa asnjë efekt financiar real. Ndërkohë tregon edhe një herë gjendjen tërësisht jofunksionale të institucioneve shtetërore dhe rënien e tyre të qartë. Plus ka efekt negativ në klimën e biznesit.”- shprehet Gjergj Buxhuku nga Konfindustria.

Shoqata të tjera të biznesit të madh me të cilat komunikoi gazeta “Si” nuk preferuan të komentonin deklaratën e kryeministrit që shumë shpejt do të kthehet në vendim. Ato e quajtën thjesht “lajthitje”.

Sipas saj që tha sot kryeministi (të hënën) gjoba do të vendoset në emër të biznesitr për çdo punonjës për të cilin nuk është bërë aplikimi për të përfituar pagën e luftës. Kjo do të thotë se sa më i lartë të jetë numri i punonjësve për të cilët një subjekt i biznesit të madh nuk ka bërë aplikimin, aq më e madhe është edhe gjoba.

“Me plot të drejtë ankohen se punëdhënësit e tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikojnë për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende Pagesën 40 mijë Lek! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh, po as i vogël punëdhënësish, u kanë kthyer kurrizin”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë