Biznes

Biznesi i vogël: Qeverisë i ka mbaruar koha, gati për protesta

Kundër fiskalizimit, nevojë për mbështetje, biznesi i vogël kundërshton kufizimet e mundshme për parandalimin e COVID-19

Biznesi i vogël thotë se qeverisë i ka mbaruar koha për të shqyrtuar dhe dhënë zgjidhje kërkesave emergjente të biznesit të vogël dhe të mesëm.

Koha ishte data 24 tetor dhe Albert Nasto thotë për gazetën “Si” se nga qeveria nuk ka asnjë sinjal për ndonjë diskutim të mundshëm në lidhje me kërkesat e bëra.

“Politikat e qeverisë për taksat janë të vonuara dhe hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, disa nga 1 janari, të tjera në gjsymën e dytë të vitit. Ne jemi në gjendje të mjerueshme. Po falimentojmë çdo ditë sepse kemi humbje të akumuluara nga mbyllja e parë dhe një mbyllje të dytë as që e çojmë nëpër mendje. Ne I kishim lënë kohë qeverisë për kërkesat emergjente deri më 24 tetor, por qeveria as nuk e vuri ujin në zjarr sikur edhe për të diskutuar. Ne jemi të ndërgjegjshëm që qeverisë nuk i bëhet vonë, por ne nuk poi a dalim dot”- thotë Albert Nasto.

Sipas tij një shqetësim i madh mbetet ndryshimi i paisjeve fiskale për të raportuar biznesi që, veçanërisht sipas tij, biznesit të vogël nuk i leverdis fare.

“E para paisja kushton mbi 1200 euro, një pjesë e mirë e bizneseve zotërohet nga persona jo të rinj në moshë që nuk kanë një përshtatje elastike me teknologjinë. Një gabim të bësh, sistemi nuk të lë ta korrigjosh dhe ky sistem i ri do të aktivizojë gjobat tek bizneset, të cilat me sa duket do të plotësojnë arkën e shtetit duke zëvendësuar taksat e hequra të biznesit të vogël”- thotë Nasto.

Sipas tij, qeveria duhet ta mendojë mirë sjelljen ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm sepse këta i mbajnë njerëzit me punë dhe ekonominë e vendit.

Bizneset e vogla dhe të mesme kërkojnë heqjen e taksave vendore për 2020 dhe faljen e gjobave në sistem mes kërkesave të tjera që kërkojnë më shumë kohë për zgjidhje.

Biznesi I vogël dhe i mesëm po planifikon protestën që do të zhvillohet brenda datës 15 nëntor. Dy format e oragnizimit do të jenë mbyllje e bizneseve në rang kombëtar për një periudhë kohe gjatë ditës e mandej një përfaqësi biznesi duke respektuar rregullat anti COVID-19 do të shkojë përpara kryeministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë