Biznes

Biznesi i vogël kundër Konfindustrisë: Heqja e tatimit na ul informalitetin

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, Albert Nasto kundërshtoi sondazhin e kryer nga Konfindustria ku thuhej se bizneset e mesme dhe të mëdha nuk janë dakord me përjashtimin e bizneseve të vogla nga skema e tatimit mbi fitimin. Sipas sondazhit, bizneset e pyetura kundërshtonin diçka të tillë pasi do të dëmtonte ekonominë afatgjatë të bizneseve, do të prishte konkurrencën e lirë të tregut dhe do të rriste informalitetet.

Nasto u shpreh për Gazetën "Si" se vendimi për heqjen e bizneseve të vogla nga tatimi, ul informalitetin pasi bizneset nuk do të kenë më barra fiskale nga të cilat “mund të fshihen” dhe kjo do të shtyjë një numër të madh biznesesh të licensohen. “Momentalisht, informaliteti në fushën e biznesit në Shqipëri shënon 52% dhe ndryshimet e bëra synojnë uljen e këtij niveli”, tha ai.

Sipas tij, konkluzionet se një vendim i tillë do të dëmtonte ekonominë dhe konkurrencën vijnë nga kompanitë e mëdha “monopolistike” në vend që shërbejnë edhe si pikë furnizuese për shumë kompani të vogla në vend. Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla shton se këto kompani kanë për qëllim të mbulojnë skemat e tyre evazive.

Për të, biznesi i vogël është hero dhe ka qëndruar në ballë të parë gjatë pandemisë, njësoj si edhe mjekët. “Fiskalizimi i bizneseve do t’i rëndojë përsëri”, shtoi Nasto.

“Gjatë pandemisë dhe pezullimit ekonomik që patën bizneset u mbyllën rreth 48 mijë të tilla dhe qeveria nuk ofroi asnjë ndihmë. Taksat lokale që janë rritur me dhjetëfish dëmtuan akoma më shumë biznesin e vogël,” u shpreh Nasto.

Ai shtoi se niveli i taksimit i vendosur në programin ekonomik të Partisë Demokratike, bashkë me uljet e çmimit të energjisë dhe naftës janë vendosur si kërkesë e Shoqatës së Bizneseve të Vogla e të Mesme.

Shoqata i ka kërkuar Partisë Demokratike krijimin e një banke në ndihmë të biznesit ku garancia të jetë vetë shteti. Taksimi 9% është më i drejti për bizneset, sipas Albert Nastos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë