Biznes

Biznesi i vogël, kërkesa konkrete qeverisë. Afati deri më 24 tetor, pastaj protesta

Në një kohë kur rreziku i një izolimi të dytë të mundshëm bëhet çdo ditë evident si në Europë dhe në Shqipëri me rastet e reja të të infektuarëve me koronavirus që rriten çdo ditë, biznesi i vogël që ka vuajtur pasojat e izolimit të parë të pranverës, kërkojnë nga qeveria mbështetje konkrete sepse sipas tyre janë në zgrip dhe rrezikojnë falimentin.

Albert Nasto i thotë gazetës “Si” se një mbyllje të dytë as që e mendon sepse sipas tij do të ishte katastrofike për biznesin e vogël.

Biznesi i vogël i drejton 10 kërkesa qeverisë. Ata i lënë kohë qeverisë deri më 24 tetor dhe bëjnë me dije se mos realizimi do të shpjerë  në fillimin e protestave.

Biznesi i vogël dhe i mesëm kërkojnë që qeveria të nxisë dhe inkurajojë sa më shpejt planin e rimëkëmbjes ekonomike në investimet publike dhe hapjen masive të punëve.

Si rezultat i pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar, qeveria, thotë kreu i shoqatës Albert Nasto, duhet të fillojë menjëherë nga rindërtimi i banesave të dëmtuara të familjarëve dhe ndërtesave publike, sepse kështu do të mundësojë dhe aktivizojë bizneset në sektorin e ndërtimit, por edhe më gjerë.

Ai kërkon në emër të biznesve që të përgjysmohen taksat dhe tarifat vendore, të cilat kanë pësuar rritje këto vitet e fundit, sidomos në qarqet dhe qytetet më të mëdha të vendit.

Shoqata kërkon të rishikohen dhe kompesohen të gjitha faturat e energjisë elektrike dhe ujit të atyre bizneseve që u mbyllën gjatë pandemisë dhe u tarifuan me vlerën e muajve përkatës të vitit 2019.

“Gjithashtu, e shohim me vend reduktimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të ujit, dhe tarifat të vlerësohen njëlloj si çmimi i familjarëve për këto dy mallrat të domosdoshme për biznesin me qëllim uljen e kostove të tyre”- citohet në letrën e kërkesave drejtuar qeverisë.

“Të hartohet një ligj mbi faljen fiskale, njëlloj si Ligji i vitit 2017 me nr. 33, për pagesat dhe detyrimet tatimore dhe doganore, si dhe gjobat e vendosura nga çdo institucion tjetër shtetëror.

Për të gjitha bizneset qiramarrëse që ushtrojnë aktivitet në qendrat e banuara me mbi 50 mijë banorë, gjysmën e detyrimit të qerasë ta paguajë shteti. Të jepet bonus mujor për të gjithë punonjësit që kanë dalë papunë, si dhe çdo pensionisti, invalidi dhe familjeve të tjera në nevojë”- janë disa kërkesa të  tjera.

Po ashtu shoqata kërkon nga qeveria që çdo biznes i vogël të financohet për këtë periudhë me 1200 Euro, për përballimin e krizës dhe për të nxitur rritjen e punësimit.

Në të njëjtën kohë duhet të krijohet, sipas tij,  një fond garancie për kreditimin e biznesit të vogël me interesa favorizuese deri në 2% dhe pjesa tjetër e barrës së interesave monetare t'i kalojë shtetit.

“Nisma STOP KORRUPSIONIT të jetë në fokusin qëndror, si shkak i pandëshkueshmërisë. Nga administrata shtetërore e çdo niveli, të largohet çdo individ i lakuar si i korruptuar dhe çdo person tjetër i dënuar për afera korruptive”- citohet në kërkesat e biznesit të vogël dhe të mesëm.

Nasto thotë se për kërkesat emergjente afati është deri në datën 24, për të tjerat që duan kohë, do të presin deri në realizimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë