Taksa

Mbërrin në kuvend vendimi për të ulur taksat e biznesit të vogël

Pas protestave intensive të biznesit të vogël për hyrjen në regjimin e TVSH-së dhe premtimit të ministrit Ahmetaj, është diskutuar sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Projektligji në fjalë parashikon që 10 800 sipërmarrje të përfitojnë nga shkurtimi i tatimfitimit në 5% nga 15% që është aktualisht. Nga kjo masë tatimi do të përfitojnë ata biznese që e kanë xhiron vjetore deri në 14 milion lekë.

Ky projektligj, rregullon gjithashtu marrëdhënien mes ndërtuesit dhe pronarit të tokës ku ndërton sipërmarrësi për pagesën e tatimeve respektive. Sepse deri më sot edhe tatimi i fitimit të tokës paguhej nga ndërtuesi investitor.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj premtoi ndryshimin në ligjin për Tatimin mbi të ardhurat në muajin maj gjatë një konference për shtyp.

Ai deklaroi në atë kohë se ligji do të hyjë në fuqi në 1 janar  të vitit 2019.

“Për statistikë, janë 21 mijë sipërmarrje që janë objekt i tatim-fitimit në vlerën 15% . Dhe nga këto 21 mijë sipërmarrje 10 800 ose 50% e tyre ju zbritet tatim fitimi në 5%”, deklaroi në atë kohë Ahmetaj.

Sipas tij janë mbi 93 mijë biznese që kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë takse nga 110 mijë biznese që numërohen në të gjithë vendin.

“Nga 110 mijë biznese aktive, rreth 93 mijë e kanë tatim-fitimin 0-5%. Kanë përfituar ulje takse rreth 90% e sipërmarrjeve shqiptare nën drejtimin e qeverisë Rama”.

Në fakt, shqetësimi i biznesit të vogël, më shumë se sa përfshirja në regjimin e TVSH-së, ishte pragu i tatimit prej 2 mln lekësh në vit që për ta ishte e pamundur ta përballonin.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë