Biznes

Biznesi i madh: Një karantinë e dytë do të turbullonte ekonominë dhe rendin

Konfindustria përmes një komunikimi me medien kundërshton në mënyrë absolute çdo rikthim të gjëndjes së karantinës për bizneset dhe qytëtarët si masë kundër Covid 19.

Në rast të kundërt, thotë Shoqata e Biznesit të Madh, pasojat do të ishin shkatërrimtare për qëndrueshmërinë makroekonomike, biznesin dhe qytetarët shqiptarë në afatgjatë.

“Pasojat ekonomike rrjedhuese do të ishin aq të rënda për mbijetesën e qytetarëve shqiptarë, sa mund të prodhojnë deri në përballje me prishje të paqes sociale dhe rendit kushtetues”- citon Konfindustria.

Sipas shoqatës, ekonomia shqiptare pësoi një goditje mjaft të ashpër si pasojë e mbylljes kundër pandemi në 6 mujorin e parë të vitit 2020.

Rënia ekonomike parashikohet të jetë deri në 12.5 % të PBB për vitin financiar në vazhdim, sipas projeksioneve të shoqatës

Vetëm në 3 muaj mars-maj 2020, citon ajo, humbjet në ekonomi përllogariten në mbi 2 miliard $.

“Kategori të gjera të biznesit prodhues dhe të shërbimeve u prekën ashpër nga pasojat e menaxhimit të pandemisë Covid 19. Humbën mbi 70 mijë vende pune, pa llogaritur pjesën jo formale të punësimit. Në një pjesë të madhe të kategorive të bizneseve pjesa e të punësuarve, që qëndruan në punë, pati një ulje reale të pagave deri në 50%. Goditje të rëndë pësuan edhe industritë e prodhimit, që lidhen me eksportet si hidrokarburet, mineralet, fasonët, turizmi, etj. Buxheti i shtetit ndjeu drejtpërdrejt rënie të fortë të të ardhurave me pothuaj 400 milion & për 3 mujorin e dytë të 2020. Viti i pasuksesshëm në industrinë e turizmit dhe rënia e fortë me pothuaj 60% e të hyrave nga emigracioni e kanë ngadalësuar qartësisht rimëkëmbjen ekonomike.”- thotë Konfindustria.

Për të, rikthimi i mbylljes për ekonominë dhe lëvizjen e qytetarëve do të çonte në mënyrë të pashmangshme në falimentim të sigurtë të shumë kategorive të bizneseve të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël, duke rritur ndjeshëm papunësinë dhe rënien e nivelit të mirëqënies.

Shoqata sugjeron, se sidomos falimentimi do të ishte i pakthyeshëm për një shumicë të industrive vendore dhe do të rrezikonte seriozisht kapjen e mëtejshme kërcënuese të tregjeve vendore nga prodhimet dhe shërbimet e huaja konkurente me pasoja të pallogaritshme në afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë