Biznes

Biznesi i Hec-ve paralajmëron qeverinë: Në arbitrazh se uli çmimet

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri  (FIAA) në një deklaratë për shtyp i bëjnë presion qeverisë të tërheqë vendimin për uljen e çmimit me të cilin paguan prodhuesit e vegjël të energjisë, përndryshe do të ndjekin hapat ligjor deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Shoqatat pretendojnë se vendimi i qeverisë është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë konsultim, sikundër është i paargumentuar, pasi është po kjo qeveri, thonë shoqatat që e vendosi metodologjinë në nëntor të vitit 2017. Gjithashtu ato pretendojnë se vendimi, cënon sigurinë juridike të kontratës koncesionare, pasi e bën çmimin e energjisë më të ulët se kostoja e investimit.

“Ndryshimi i bonusit dekurajon prodhimin vendas. Duke goditur prodhuesit e energjisë, qeveria nuk po investon më për të ardhmen e prodhimit vendas, por për të ardhmen e prodhimit të vendeve nga ku importohet energjia. Ky vendim varfëron investitorët që kanë zgjedhur vendin tonë për të investuar, duke dëmtuar kështu ekonominë kombëtare, ndërsa promovon dhe pasuron investitorët e vendeve importuese të energjisë elektrike, duke e bërë akoma më të varur energjitikisht Shqipërinë.”- citon njoftimi.

Shoqatat thonë se janë të zhgënjyera për mosreflektimin e institucioneve ndaj shqetësimit sipas tyre të ligjshëm mbi vendimin e Këshillit të Ministrave në lidhje me ndryshimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve eksistues.

“Duke analizuar në detaje efektin që sjell ky vendim, AREA dhe FIAA dalin në përfundimin se, me uljen e çmimit qeveria vë në vështirësi operimin e HEC-eve të vegjël dhe prodhimin vendas, pasi cënon fizibilitetin e investimeve në burimet e rinovueshme, duke ndikuar negativisht në bilancin ekonomik të këtyre sipërmarrjeve me ndikim të drejpërdrejtë pozitiv në sektorin energjitik dhe në ekonominë shqiptare.”-citojnë shoqatat.

Sipas tyre, ndryshimi i bonusit është në vazhdën e ndryshimeve të shpeshta, gjithmonë përkeqësuese ndaj prodhuesve të energjisë së rinovueshme, që dëmtojnë drejtpërdrejtë investitorët shqiptarë e të huaj dhe sektorin energjitik në plan afatshkurtër dhe afatgjatë.

Vendimi i qeverisë, thotë deklarata e përbashkët e dy shoqatave, rrezikon falimentimin e këtyre investimeve me vlerë mbi 600 milionë euro e me mijëra të punësuar, duke e bërë të pamundur kështu edhe misionin për të ulur çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Ulja e çmimit rrezikon, po ashtu sipas shoqatave, që investitorët e thirrur për të investuar vetë nga qeveria shqiptare, të mos jenë në gjendje të shlyejnë investimin e tyre, duke cënuar kështu edhe bankat që kanë mbështetur projektet e tyre ambicioze për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Për pasojë, vendimi ka pasoja negative edhe në klimën e investimeve./© Gazeta "Si"/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë