Mirela zotëron një agjenci turistike në kryeqytet. Ajo prokuron çdo muaj bileta udhëtimi për institucionet publike, faturat e të cilave nuk shlyhen menjëherë, por sipas një periodiciteti të caktuar në bazë të çeljes së thesarit të shtetit.
Megjithatë, burokracitë e institucioneve të ndryshme, ndikojnë që faturat e shërbimit të shlyhen edhe me vonesë për disa muaj.
Dy ditë më parë ajo është interesuar për shlyerjen e faturave, por përgjigjja që ka marrë është se “Ministria e Financave ka urdhëruar mbylljen e thesarit deri në një moment të dytë për shkak të emergjencës post-tërmet”.
Qeveria rezulton të mos përballojë dot ngarkesën si efekt i emergjencës, teksa ditë më parë në një nga mbledhjet e rindërtimit, kryeministri Edi Rama do të thoshte se “ne do të rindërtojmë, por nuk do të kolapsojmë pjesën tjetër të jetës”.
Ndërsa bizneset shprehen se “nuk dinë ku të fusin kokën në këtë fundvit”.
Sipas tyre për rimbursimin e TVSH-së as që flitet, por problemi qëndron tek pagesat korente.
“I kemi shërbyer shtetit dhe ai nuk na paguan faturat. Janë shifra që cënojnë mbarëvajtjen se në këtë periudhë nuk të huazon askush që të vazhdojmë punën. Gjithçka është pezulluar pa na vënë në dijeni dhe nuk dimë se kur do të çelet thesari”- shprehet një biznes për gazetën “Si’”.
Pak ditë më parë, Ministrja e Financave Anila Denaj do të urdhëronte thesarin të mos kryente asnjë prokurim me fonde publike pas datës 15.
Pezullimi arsyetohej me mbledhjen e fondeve për gjendjen e emergjencës. “Faturat e njësive të qeverisjes të paguhen deri më 15 dhjetor. Pas kësaj date asnjë faturë nuk do të paguhet në llogari të buxhetit. Ndalohet nënshkrimi i kontratave të reja. Asnjë procedurë e re prokurimi me fondet publike”- citohej në dokumentin e ministres.
Teksa data 15 dhjjetor nuk ka mbërritur ende, thesari i ka kyçur veprimet prej ditësh, pa vënë në dijeni biznesin, pa një urdhër dhe udhëzim të bërë transparent, në kundërshtim me urdhërin e Ministrisë së Financave dhe pa deklaruar një datë të caktuar se kur do të rinisë shlyerja e faturave.
Sipas bizneseve, për shkak të burokracive të instotucioneve ata kanë pa u paguar edhe për fatura të muajit shtator, tetor, nëntor, të cilat thesari edhe ato refuzon ti paguajë.
Bizneset thonë për gazetën “Si” se janë futur në kolaps dhe parashikojnë një gjendje shumë të keqe në vazhdim duke u nisur nga situata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.