Biznes

Bizneseve u mbeten llogaritë të bllokuara duke ua vështirësuar dyfish situatën

Bllokimi i llogarive dhe pasurive bizneseve me detyrime të pashlyera, shtoji këtyre gjobat dhe kamatvonesat i ka thelluar atyre krizën e akumuluar edhe nga situata e krijuar prej një viti nga pandemia.

Administrata Tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara ka vendosur gati 32 mijë barra hipotekore gjatë vitit 2020, rreth 8 mijë subjekte më shumë se viti paraardhës.

Tatimet kanë bërë publike listën 31,849 tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve  ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. 

Bizneset e publikuar në listën e Tatimeve nuk mund të kryejnë asnjë transaksion më pasuritë e tyre deri në shlyerjen e detyrimit tatimor. Po ashtu nuk mund të veprojnë as me llogaritë e tyre të bllokuara të biznesit duke i detyruar ata të shkojnë drejt falimentimit.

Kjo problematikë është ngritur nga bizneset më herët gjatë vitit 2020.

Problematika në fjalë është përjetuar më së shumti nga bizneset fason, të cilët përmes disa letrave i janë drejtuar Ministrisë së Financave për zgjidhje. Kjo e fundit i ka pritur edhe në takim përfaqësuesit e shoqatës Pro Export Albania.

Edvin Prençe, Pro Export Albania

“Reagimi dhe takimi ishte i menjëhershëm. Por sipas statistikave të tyre nuk ka një ndryshim të madh nga vjet; lëviz në masën 5% më shumë.  Ne akses për të verifikuar të dhënat nuk kemi dhe kështu që jemi në pritje të një takimi të dytë, kur të kemi marrë informacionin edhe nga anëtarët tanë. Pra % nga bizneset e bllokuara nga 2019 në 2020 është në masën 5% më shumë,  pra nuk shihet përse të bëhet zhbllokimi diferencues thonë nga Ministria e Financave.  Per të bërë një gjë të tillë është e nevojshme ndërhyrja në ligj dhe kërkon kohë. Pra në sintezë nuk ka zgjidhje për momentin. Po mendohet një zgjidhje, por akoma nuk kemi gjë konkrete”- shpjegon Edvin Prençe, kreu i shoqatës Pro Export Albania.

Ai thotë për gazetën “Si” se shoqata në takim kërkoi fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave ( jo principalin), pasi “në këtë periudhë të vështirë për të gjithë, veçanërisht për biznesin fason që është goditur më shumë nga pandemia është absurde të penalizohemi disa fish duke rrezikuar falimentin. Por mendoj se kjo është një rrugë e gjatë dhe duhet kohë në rast se vendosin ta bëjnë”.

Gazeta “Si” u interesua edhe në biznese të tjera nëse e kanë këtë problematikë.

Alban Zusi nga “Qendra Shqiptare e Eksporteve” u shpreh se kjo problematikë është kryesisht tek fasonët, sepse ata e kanë vuajtur më shumë situatën e pandemisë për shkak të bllokimit të aktivitetit të vendeve europiane ku kanë partnerët tregtarë.

“Kjo është vdekjeprurëse për këta biznese. Nëse u bllokon llogaritë, si mund të punojnë ata? Do ti shpiesh në falimentim? Ministria duhet të gjejë një zgjidhje, të bëjë një marrëveshje për shlyerje në afat të caktuar”- shprehet Zusi.

Alban Zusi "Qendra Shqiptare e Eksporteve"

Ministrja e Financave Anila Denaj në një konferencë të fundit për 2020 do të shprehej se kjo problematikë nuk është e vitit pandemik 2020, por borxhet janë të akumuluara dhe si rrjedhojë situata kërkon një analizë të thelluar dhe rrjedhimisht kërkon kohë për të gjetur një zgjidhje.

Por shoqata Pro Export Albania thotë se gjendja e ndërmarrjeve rrezikohet çdo ditë për shkak të situatës COVID-19 që në këtë sezon ka detyruar shumë vende partnere të biznesit të tyre të mbyllen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë