Para

Bizneset të pasigurtë për ekonominë, bie kredia për investime

Kredia për biznese ka rezultuar e ulët edhe tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, me gjithë lehtësimin e kushteve për kreditim,sipas raportit të Bankës së Shqiëprisë për Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e katërt të 2019-ës.

Trendi është shfaqur më i theksuar tek kredia për investime dhe kjo lloj kredie, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë e ulët edhe në tremujorin e parë të vitit 2020.
Frikë për të investuar kanë shfaqur të dy kategoritë e biznesit, si biznesi i vogël e i mesëm, ashtu edhe ai i madh.

Sipas raportit, në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas bizneset kanë pasur nevojë të kreditohen për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Për tremujorin e parë të vitit 2020, bankat u shprehën se presin një shtim të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve, por e kufizuar vetëm në kreditë dhënë me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet.

Sipas perceptimit të bankave, kërkesa më e ulët për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2019, u ndikua nga ndjesia e bizneseve për situatën ekonomike dhe perspektivën e saj, si edhe nga besimi i biznesit.

Po ashtu, rritja e përdorimit të burimeve alternative në formën e kredive nga bankat e tjera, si edhe nevojat më të ulëta për financimin e investimeve u vlerësuan me ndikim negativ tek kërkesa për kredi në tremujorin e katërt.

Si faktorë me ndikim në shtimin e kërkesës për kredi u raportuan nevojat më të larta për: rifinancimin e borxheve ekzistuese dhe ristrukturimin e kompanive; si edhe financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues.

Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit u perceptua si një faktor i favorshëm për zgjerimin e kërkesës për kredi.

Për tremujorin e parë të vitit 2020, bankat presin të lehtësojnë disi standardet e kreditimit për bizneset, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë.

Sipas bankave, lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset u ndikua nga shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, si edhe nga kostot dhe kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni i kapitalit apo i likuiditetit të bankave.

Nga ana tjetër, perceptimi i bankave për një rrezik të shtuar lidhur me pamundësinë për të paguar të kredimarrësit, me kolateralin, si edhe situatën ekonomike e perspektivën për të, ndikuan në kahun në shtrëngimin e standardeve të kreditimit. Gjithashtu, toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut veproi në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit.
Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht prej perceptimit për rrezik disi të shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë