Biznes

Situata e pafavorshme, bizneset shtyjnë riinvestimet

Sabina Veizaj - Për tetë muajt e parë të vitit kemi një defiçit tregtar të barabartë me 211 mld lekë që ka shënuar një rënie me 5,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shifrat e INSTAT tregojnë një rritje të mallrave të shitura jashtë dhe një rënie të blerjes së mallrave jashtë.

Eksportet e mallrave arritën vlerën 205 mld lekë, duke u rritur me 16,1 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 416 mld lekë, duke u rritur me 4,0 %,krahasuar me një vit më parë.

Në muajin gusht 2018 eksportet e mallrave u rritën, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe u ulën në krahasim me korrikun e 2018-ës. Kurse importet e mallrave u ulën si në krahasim me një vit më parë, ashtu edhe krahsasuar me Korrikun 2018.

Sipas Ben Shkodrës nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, të dhënat e tregtisë shpjegohen me faktin se prodhuesit i kanë lënë riinvestimet për më vonë për shkak të situatës jo të favorshme.

“Nëse nuk ke para gjendje, nuk investon. Bankat janë rrudhur”, shprehet Shkodra.

Sipas tij, në vështrim të parë të duket situatë e çuditshme, pasi përfitimi nga kursi i këmbimit ka qenë shumë i lartë. “Ne po presim shifrat e uljes së eksportit. Por kjo ka të bëjë edhe me uljen e konsumit dhe uljen e importit të energjisë elektrike, pasi kemi prodhuar shumë në vend”, thotë Shkodra.

Partnerët tregtarë të Shqipërisë

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia, Greqia  dhe Turqia.

Vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,4 % të gjithë tregtisë. Në Gusht 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,5 % të importeve gjithsej.

Shkëmbimet tregtare, për tetëmujorin 2018, me vendet e BE-së, zënë 66,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Gusht 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,7 % të importeve gjithsej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë