Biznes

Bizneset shqiptare pesimiste për situatën ekonomike, por konsumatorët jo

Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një tjetër rënie në tetor, me 2 pikë, ndikuar nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e biznesit. Por besimi i konsumatorëve pati rritje të lehtë.

Treguesi  i besimit në industri ra me 4.8 pikë përqindje në tetor, ndikuar nga rënia e prodhimit aktual dhe kërkesës. Po ashtu, pritjet e bizneseve për prodhimin  dhe punësimin në të ardhmen janë në rritje dhe ato për çmimet e pritura janë në rënie.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 7.2 pikë përqindje për shkak të përkeqësimit të balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kërkesën. Rënie regjistruan edhe pritjet për punësimin,  ndërkohë  ato  për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.

Besimi në shërbime ra vetëm me 1.1 pikë përqindje ndikuar nga performanca e dobët e bizneseve. Ndonëse janë përballur me rritje të punësimit aktual, pritjet për të ardhmen janë në rënie.  Pritjet për ecurinë e çmimeve të shërbimeve shënuan rritje.

Besimi në tregti ra me 2.6 pikë përqindje nga aktiviteti jo shumë pozitiv. Pritjet për çmimet dhe punësimin në muajt e ardhshëm janë në rritje

Ndërsa besimi konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 pikë  përqindje  në  muajin  tetor. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen. Konsumatorët  vlerësojnë  me  rritje  ecurinë  aktuale  të  çmimeve,  situatë  e  cila  pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë