Biznes

Bizneset nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve, do të ndërhyjë hetimi tatimor

Subjektet private vijojnë të mos deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre për shkak të detyrimeve tatimore.

Nëse bizneset nuk ndërgjegjësohen, do të ndërhyjë Hetimi Tatimor.

Këtë e kanë bërë me dije tatimet duke thënë se prej muajit tetor Administrata Tatimore ka evidentuar riskun e nëndeklarimit të pagave  në një grup prej 20 profesionesh.

“Për të rritur ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve janë dërguar letra të personalizuara sensibilizuese 11.941 tatimpaguesve për 19229 punonjës të tyre, përmes të cilave janë ftuar të ndryshojnë deklarimet, drejt përmbushjes. Në një vizitë pranë një subjekti, i cili ka reaguar pozitivisht, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Znj.Delina Ibrahimaj  sqaroi nga afër qasjen e Adminsitratës Tatimore për të mos penalizuar, por ndërgjegjësuar subjektet mbi rëndësinë e deklarimit real të pagave.”- thonë tatimet në një njoftim për mediet.

Nga monitorimi paraprak i të dhënave të deklaruara, sipas tatimeve, vërehet një përmirësim i ndjeshëm në deklarime, ndërsa është rritur paga për 5.536 punonjës ose 34% e punonjësve të deklaruar deri në nëntor 2019. Efekti total për këto tatimpagues është  mbi  44 milion lekë për muajin nëntor.

Kjo nismë, thonë tatimet do të vazhdojë edhe me hapa të tjerë sensibilizues dhe në raste të riskut të lartë do të ndiqet përmes strukturave të Hetimit Tatimor.

Znj.Ibrahimaj siguroi se krahas lehtësirave përmes shërbimeve online, tatimpaguesit do të jenë në qendër të vëmendjes përmes Drejtorisë së Shërbimit për tatimpaguesit në ndërgjegjësimin dhe informimin paraprak mbi elementët e riskut në deklartimet e tyre tatimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë