Biznes

Bizneset e Kosovës: Qeveritë e rajonit të mos ndërmarrin një izolim të dytë

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa të reja shtrënguese me rritjen e numrit të infeksioneve  të reja me koronavirus, por biznesi ka shfaqur menjëherë kundërshtinë e tij.

Agim Shahini, kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se mbyllja totale është hap i gabueshëm, pasi sipas tij, njerëzit duhet të punojnë, por njëkohësisht edhe të mësohen të jetojnë me virusin.

 “Shtrëngimi i masave në kuptim jo të mbylljes janë të nevojshme, por mbyllje nuk do të ketë më asnjëherë, dhe nuk do t’i sugjerojmë institucioneve të Kosovës, që të mbyllet ekonomia siç ka qenë sepse është parë dhe vërtetuar se ky ka qenë një hap i gabuar, sepse ne duhet të punojmë të jetojmë dhe duhet të mësohemi të jetojmë me virusin dhe me masat mbrojtëse, por ekonomia e vendit duhet të ec përpara pa mbyllje, pavarësisht çka ndodh në të ardhmen shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi nuk duhet të mbyllen sepse këto ekonomi janë të lidhura, dhe qytetarët janë të lidhur në forma qoftë ekonomike apo kulturore sportive, dhe është parë që kjo ka qenë e dëmshme dhe ne duhet t’i marrim masat e shteteve të Bashkimit Europian”- thotë Shahini.

Ai thekson gjithashtu se Paketat Ekonomike nga Qeveria e Kosovës janë të mirëseardhura, por nuk janë të mjaftueshme.

Shahini bën me dije se ekonomia ka tkurrje prej 10%, gjithashtu “dhe në qarkullim të brendshëm ka rënie e që për këtë kërkohet një pako stimuluese.”

“AKB-ja mendon se këto paketa ekonomike janë të mirëseardhura por janë të vogla, megjithatë ne i vlerësojmë edhe mundësitë e buxhetit sepse edhe buxheti ka tkurrje, ekonomia ka tkurrje mbi 10%  edhe në qarkullim të brendshëm ka rënie dhe të gjitha këto kërkojnë një pako më stimuluese, po ashtu edhe falje të ndëshkimeve të borxheve, sepse zjarrfikës i krizës ekonomike në vend duhet të jetë Qeveria me politika lehtësuese”.

Shahini thotë se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka ende nevojë për plotësim-ndryshime.

“Natyrisht se ka ende nevojë të plotësohet dhe nuk ka nevojë që të priten 7 seanca sikurse në të kaluarën për ta kuptuar deputetët rëndësinë e saj, ekonomia e vendit dhe bizneset e ndryshme për herë të parë kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe këtu pash se nuk është në nivelin e duhur përgjegjësia e deputetëve karshi kërkesave të komunitetit të biznesit por edhe të vetë qeverisë në rastin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”.

Ai shprehet se deri në fund të vitit humbjet e shkaktuar nga pandemia do të jenë rreth 1 miliard euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë