Biznes

Bizneset dhe konsumatorët më optimistë për ekonominë. Ndërtuesit presin rënie të kërkesës dhe çmimeve

Nga Gazeta 'SI'- Besimi në ekonomi pësoi një rritje të fortë gjatë marsit, me 2.5 pikë, pas rënieve të vazhdueshme, raporton Banka e Shqipërisë.

Si rrallëherë, rritje të treguesit pësuan të gjithë sektorët e tjerë përveç ndërtimit. Por BSH thekson se gjendja financiare e bizneseve dhe norma e shfrytëzimit të tyre është ulu në tremujorin e parë.

Besimi në ndërtim ra me 0.9 pikë përqindje, pasi këto biznese presin rënie të aktivitetit të tyre, punësimit dhe çmimeve. Nga ana tjetër, porositë aktuale u vlerësuan me rritje këtë muaj. 

Shërbimet patën rritjen më të fortë të besimit në ekonomi, me 6.4 pikë përqindje. Kjo sipas BSH-së sepse këto biznese presin rritje të aktivitetit dhe kërkesës. Gjithashtu, shërbimet parashikojnë shtim të punësimit, ngërçi kryesor i këtij sektori. Çmimet sipas tyre do të ulen.

Rritjen e dytë më të lartë e ka përjetuar industria me 3.6 pikë përqindje. Ky sektor pret rritje të prodhimit dhe kërkesës për eksporte. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me muajin e kaluar.

Besimi i bizneseve tregtare u rrit me 2.7 pikë përqindje, ndikuar nga aktiviteti pozitiv. Pritjet për punësimin dhe çmimet në këtë sektor janë në rënie.

Treguesi i besimit për konsumatorët u rrit me vetëm 1.4 p.p, por ata vlerësojnë në përmirësim aftësinë për të bërë blerje të mëdha dhe presin rënie të papunësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë