Biznes

Bizneset e ‘fjetura’ janë 135 mld lekë borxh tek tatimet

Nga Gazeta 'SI' - Mbi 192 mijë biznese në Shqipëri kanë pothuajse 135 mld lekë detyrime ndaj Drejtorisë së Tatimeve.

Kështu konstaton raporti i fundit i KLSH-së, për DPT-në, ku thotë se stoku i detyrimeve të papaguara rritet me një ritëm më lartë se sa pakësohet. Nga fillimi deri në fund të vitit 2021, detyrimet janë rritur me 10.2% dhe janë shtuar 23.850 debitorë.

KLSH thekson se vetëm 7 tatimpagues kanë 9 miliard lekë detyrime, ndër të cilët vetëm dy tatimpagues kanë shtuar detyrimet me rreth 7.4 miliard lekë dhe rreth 13.2 mld lekë janë detyrime të taksapaguesëve VIP, kompanitë e mëdha.

Sipas llojit të debitorëve, 65% e borxhit i përket subjekteve pasive, 88.1 mld lekë, që sipas KLSH-së është tregues edhe për vështirësinë në mbledhjen e këtyre detyrimeve, për sa kohë këto subjekte nuk vijojnë aktivitetin e tyre.

35% e borxhit i përket subjekteve aktive, 46.8 mld lekë. 47.7 mld lekë borxh janë mospagim i TVSH-së, që mban pjesën më të madhe, ndjekur nga 38 mld tatim fitim dhe 402 mln lekë gjoba. Shumica e pagesave të prapambetura kanë më shumë se 5 vite, 39% e vlerës.

Për sa i përket stokut të detyrimeve tatimore të papaguara sipas rajoneve, peshën më të madhe e zë Rajoni Qendror me 74% e ndjekur nga VIP-at me 10%, Rajoni Verior me 9% e më pas Rajoni i Jugut me 7%.

Për vitin 2021, shtrënguese që është aplikuar më tepër në numër rastesh ndaj tatimpaguesve është “urdhër bllokimi i llogarisë bankare” në 48.203 raste për vlerën prej rreth 66.7 mld lekë detyrim, nga të cilat janë arkëtuar 45.003 raste me 4.6 mld lekë (vetëm 7% te masave të vendosura për detyrimin),. Masa “njoftim dhe kërkesa për pagesë” me 43.486 raste të arkëtuara në vlerën prej rreth 4.4 mld lekë.

KLSH vlerëson se kjo ka ndodhur për shkak të mangësisë në masat shtrënguese të implementuara për arkëtimin e detyrimeve të papaguara dhe në monitorimin e borxhit nga momenti i krijimit të tij, deri në mbledhjen me forcë të borxhit tatimor në DRT. Mangësitë në hedhjen në sistem të të dhënave. Vonesa në finalizimin e raporteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë