Taksa

Biznese të goditura nga tërmeti paguajnë dy herë taksën e ndërtimit

Konfindustria shpreh shqetësimin se Qeveria po u kërkon të paguajnë taksën e lejes për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara bizneseve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në zonën e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.

Përmes një deklarate, Konfindustria thotë se taksa po merret edhe në rastet kur bizneset rindërtojnë të njëjtin objekt, për të cilin e kanë paguar njëherë këtë taksë dhe shton se kjo bie ndesh me deklaratat dhe premtimet publike të bëra nga Qeveria.

Konfindustria thotë se barra e bizneseve rëndohet edhe më tej nga fakti që e gjithë kosto e rindërtimit po merret përsipër prej vetë atyre, pa asnjë ndihmë financiare nga shtetit dhe taksat e kërkuara janë pengesë në procesin e rindërtimit.

“Taksat e kërkuara arrijnë në shuma mjaft të larta dhe praktikisht ndalojnë çdo përpjekje të bizneseve për rindërtim të objekteve të shkatërruara”, thuhet në deklaratë.

Konfindustria e quan alibi justifikimet e dhëna nga pushteti vendor që vjel taksën e lejes së ndërtimit.

“Justifikimi nga ana e njësive të pushtetit vendor për rastin në fjalë është se në aktet ligjore të nxjerra nga Qeveria për tërmetin e nëntorit 2019, edhe pse kanë kaluar pothuaj 10 muaj, nuk është parashikuar dhe/ose është “harruar” heqja e detyrimit të pagesës së taksës për rindërtim të objekteve të bizneseve. Bizneseve u kërkohet të paguajnë për të marrë lejen për rindërtimin të njëjtat pagesa taksash sikur të ishte ndërtim i ri”, vijon deklarata.

Konfindustria thotë se këto janë pasoja të paaftësisë, subjektivizmit dhe korrupsionit që çojnë në rritjen e paarsyeshme të kostove të rindërtimit për bizneset e goditura nga tërmeti dhe rëndojnë edhe më shumë gjendjen e vështirë të këtyre bizneseve pas pasojave të koronavirusit. Ajo bën drejtpërdrejtë përgjegjëse Ministrinë e Rindërtimit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

“Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare të përmirësojë në mënyrë sa më të shpejtë legjislacionin në fuqi për lehtësimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019 dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe individuale të shkaktarëve të krijimit të gjendjeve të tilla të papranueshme si dhe marrjen e masave ndëshkuese përkatëse. Gjithashtu, kërkohet vëzhgim nga afër ndaj njësive të pushtetit vendor për zbatimin e ligjit pa subjektivizëm dhe korrupsion”, mbyllet deklarata e Konfindustrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë