Njerez

Bill Gates paralajmëron: Kujdes nga modifikimi gjenetik

Modifikimi gjenetik është një prej qasjeve më premtuese të shkencës sot për trajtimin e sëmundjeve, por edhe ajo vjen si një medalje me dy anë. Nga njëra anë është perspektiva pozitive për të patur përgjigjen dhe kurën e duhur edhe për sëmundjet që deri më sot kanë statusin si të pashërueshme, nga ana tjetër ngre një pikëpyetje të madhe etike.

Paralajmërimi është bërë nga Bill Gates. Bosi i Microsoft dhe pjesë e elitës së personave më të pasur në botë thotë se në vitet e dekadat që vijnë kjo praktikë mund të thellojë pabarazinë, sidomos nëse modifikimi gjenetik “shitet” si një shërbim i shtrenjtë dhe ekskluziv për të pasurit.

Gates shprehet i habitur sesi kjo tematikë nuk po tërheq vëmendjen e mjaftueshme.

“Jam i habitur që kjo çështje nuk ka gjeneruar ende një debat publik më të gjerë. Kjo duhet të jetë një prej çështjeve më të debatuara dhe më gjithëpërfshirëse”, shkruan ai në një artikull të publikuar në blogun personal në muajin dhjetor.

Modifikimi gjenetik u lejon shkencëtarëve që të modifikojnë ADN-në e një personi duke riparuar pjesët difektoze, e për rrjedhojë edhe sëmundjet që vijnë me to. Shqetësimet mbi etikën e kësaj praktike qarkullojnë prej kohësh, por u kthyen në qendër të vëmendjes së fundmi, kur një studiues kinez tha se kishte marrë pjesë në lindjen e fëmijëve të modifikuar gjenetikisht.

Praktika ka gjetur zbatim edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në mënyrë më të kufizuar, ku pacientë kanë qenë persona me sëmundje të ndryshme. Ndryshe nga shembujt amerikanë, praktika kineze e modifikimit të gjeneve që në konceptimin e një fëmije mundëson që modifikimet t’u trashëgohen brezave të ardhshëm. Pikërisht kjo shkaktoi debat dhe shumë studiues u janë kundërvënë kolegëve të tyre kinezë duke e cilësuar projektin e tyre si shqetësues dhe joetik.

Nga këto shqetësime është frymëzuar edhe Bill Gates.

“Pajtohem me ata që thonë se kjo shkoi shumë larg. Megjithatë, një gjë e mirë mund të dalë nga ky studim; inkurajimi i sa më shumë personave për të folur mbi modifikimin e gjeneve”, argumenton themeluesi i Microsoft.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë