Klubi Partizani ka vendosur që të dhurojë të paktën 50% të të ardhurave nga biletat e derbit me Tiranën për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. E ka pohuar vetë presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, në një intervistë të fundit për “Top Chanel”. Derbi luhet nesër në ”Air Albania Stadium” dhe interesimi është mjaft i madh, kështu që shuma që do të dhurojë Partizani në këtë rast do të jetë relativisht e madhe, diku te 30-40 milionë lekë të vjetra.
Kur derbi luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, të ardhurat nga biletat shkojnë zakonisht rreth 50 milionë lekë, por sigurisht që në stadiumin e ri është diçka tjetër. Të ardhurat do të jenë më të mëdha, sepse edhe biletat e shitura do të jenë më shumë, plus që kushtojnë më shtrenjtë. Bileta më e lirë në këtë stadium kushton 5 mijë lekë. Por edhe kostot janë më të mëdha. Nga tifozët ka një interesim mjaft të madh, jo vetëm se është derbi, por edhe për të parë stadiumin e ri. Ndeshja është vendosur të luhet në orën 19:00 të së premtes, një orar shumë i përshtatshëm për të shkuar në stadium.

Ideja për të dhuruar të ardhurat nga derbi për familjet e prekura nga tërmeti ishte hedhur ditë më parë, ku klubi i kuq kishte kërkuar nga FSHF-ja që ta lejonte të luante me Tiranën në stadiumin e ri pa qera. Por situata ndryshoi më pas. Partizani dhe FSHF-ja kanë arritur një marrëveshje, ku do të paguhet një qera nga klubi i kuq, që është organizatori i ndeshjes, ndërsa për të prekurit nga tërmeti do të shkojnë 50% e të ardhurave.
Tani mbetet të zgjidhet çështja e ndarjes së tifozërive në stadium, pasi Tirana ka pretendime për tribunën që është caktuar për tifozët e saj. Po ashtu, edhe çështja e sigurisë është shumë e rëndësishme. Policia ka marrë përsipër garantimin e rendit vetëm jashtë stadiumit, kurse brenda impiantit gjithçka duhet ta zgjidhë Partizani si klub organizator me anë të policëve privatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.