Ekspozite

‘Bilbili i Kosovës’, Nexhmije Pagarusha rikthehet e bronztë në vendlindje  

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha “ringjallet” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, me shtatore bronzi.

Aktivitetet kanë filluar që nga ora 10:00 me nderime te varri i saj në Pagarushë, më pas do të zbulohet busti dhe në fund në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë do të jepet një shfaqje kulturore e artistike.

 “Jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja jonë komunale u është mirënjohës thellësisht”, ka shkruar kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Skulptura e veçantë është realizuar nga skulptori Agon Qosa. E punuar në detaje, kjo vepër arti vjen si një nderim i veçantë për një figurë me kontribut të madh në muzikën shqiptare.

Skulptura

E cilësuar si “Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua më 7 shkurt 2020. Ajo konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.

Kush ishte Nexhmije Pagarusha

Pagarusha ka një veprimtari të gjatë dhe të larmishme muzikore sa vështirë të thuhet se cilit zhanër i përket. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ka qenë pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty”.

Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Bilbili” do mbetet pjesë e historisë së artit shqiptar me veprat e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë